Lidhje

Presidenti kinez pritet të vizitojë SHBA


Presidenti amerikan Donald Trump ka në plan të presë presidentin kinez Xi Jinping për një takim dy-ditor muajin e ardhshëm në vilën e tij në Florida, në brigjet e Oqeanit Atlantik. Ky do të jetë takimi i parë i të dy udhëheqësve.

As Uashingtoni dhe as Pekini nuk e kanë konfirmuar takimin në pronën Mar-a-Lago të zotit Trump, por mediat amerikane njoftojnë se takimi mes dy presidentëve të ekonomive më të mëdha të botës është në plan në mbahet më 6 dhe 7 prill.

Sipas njoftimeve, Sekretari i Shtetit Rex Tillerson pritet t’i përfundojë planet për takimin Trump-Xi gjatë vizitës së tij në Pekin këtë javë. Ministria e Jashtme e Kinës tha sot se të dy vendet kanë qenë në komunikim të afërt lidhur me takimin midis udhëheqësve të tyre.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Sean Spicer tha të hënën se zoti Trump dhe zoti Xi kanë në plan të diskutojnë lidhur me kërcënimin që paraqet programi i armëve bërthamore të Koresë së Veriut dhe i provave me raketa, si dhe çështje të tjera.

Presidenti Trump shpesh i ka kërkuar Kinës të përpiqet t’i frenojë veprimet agresive të Phenianit, duke përmendur ndikimin e Pekinit tek regjimi i udhëheqësit koreanoverior Kim Jong Un.

Shtetet e Bashkuara, po ashtu kanë shprehur kundërshtim ndaj krijimit nga Pekini të ishujve në Detin e Kinës Jugore, duke çuar herë pas here anijet kineze pranë ishujve që gjenden në ujëra ndërkombëtare, si një shprehje e forcës në rajon.

Ndërsa Kina pati shprehur shqetësim ndaj SHBA, kur Trump fillimisht foli për mundësinë e fundit të politikës së një Kine të vetme, që pranon pretendimin e Pekinin për Taivanin si pjesë e Kinës. Gjatë tranzicionit të pushtetit, zoti Trump bisedoi në telefon me presidentin tajvanez Tsai Ing-wen, i cili e uroi atë për fitoren në zgjedhjet e nëntorit. Ky veprim binte në kundërshtim me qëndrimin e mëparshëm amerikan për kontrollin e Tajvanit ndaj Kinës, që Uashingtoni e ka pranuar për herë të parë në vitin 1979.

Por një muaj më parë, Trump e siguroi zotin Xi në një bisedë telefonike, se nuk ka për të patur ndryshim në politikën amerikane të një Kine të vetme, duke e lehtësuar kështu mbajtjen e takimit të planifikuar për në prill mes të dy presidentëve.

XS
SM
MD
LG