Lidhje

Reagime të amerikanëve pas votimit


Zëri i Amerikës mori mendimin e amerikanëve nga qendrat e votimit në mbarë vendin lidhur me çështjet që ata i cilësojnë si më të rëndësishmet për ta, duke i pyetur se për kë votuan dhe përse ?

Në Dearborn të shtetit Miçigan, Zaharaa Alakashi e lindur në Arabinë Saudite tha se ndihej e shqetësuar nga kandidati republikan Donald Trump, i cili në të kaluarën ka bërë thirrje për ndalimin e imigrantëve myslimanë që vijnë në Shtetet e Bashkuara. Alakashi mbështet Hillary Clintonin.

“Kjo është hera e dytë që votoj. Votën e parë e hodha për Barack Obamën, presidentin e parë afrikano-amerikan. Kësaj radhe vota është për atë që shpresojmë të jetë gruaja e parë presidente. Është moment shumë emocional. Mendoj se shumë njerëz janë të shqetësuar nga gjërat që thotë Trump” - thotë ajo.

Në Meklin të shtetit Virxhinia pranë kryeqytetit amerikan, Ellis Richard Salvia, tregon se përse e mbështet kandidatin Trump:

“Për ta shpëtuar Amerikën nga njerëz që po e dëmtojnë atë. Obama dhe Cliton po e bëjnë këtë. Me kufinj të hapur dhe urdhëra ekzekutivë. Ne duam që Amerika të bëhet vendi më i mirë në botë. Kur Amerika është në gjendje të mirë, gjithë bota është mirë.” - thotë ai.

Jons Saksovsky po ashtu foli në mbështetje të kandidatit republikan. Votuesja Kathy Morgan theksoi rëndësinë e pjesëmarrjes në votime.

“Që të jem pjesë e demokracisë, që të më dëgjohet zëri. Që të jem pjesë e vendit tim”, - tha ajo.

Banorja e Filadelfias, Aurora Davis, tha se çështjet e grave janë shumë të rëndësishme për të.

“Pa dyshim çështjet e grave, dikush që mbështet interesat e mia dhe u jep zë atyre. Ajo është Hillary Clinton. Nuk mendoj se Donald Trump po mbështet çështjet e grave”, - tha ajo.

Në Nju Jork, një votuese që u identifikua si Jamie, tha se ishte e lumtur që sezoni i “hidhur” zgjedhor po përfundon. “Ka qënë e tmerrshme, pres me padurim që të përfundojë”, - tha ajo ndërsa shprehu shpresë që fituesi i zgjedhjeve të jetë një grua, duke ju referuar kandidatet Clinton.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG