Lidhje

Presidenti Obama mbron monitorimin e tabulateve telefonike


Presidenti amerikan Barack Obama i mbrojti programet që lejojnë agjencitë e zbulimit të mbledhin informacion për tabulatet telefonike dhe përdorimin e internetit të qytetarëve.

Sot në Kaliforni, zoti Obama tha se që nga viti 2006, programet janë riautorizuar me mbështetje të gjerë dypartiake. Ai tha gjithashtu se ato kanë luajtur rol në parandalimin e terrorizmit.

Ishin komentet e para të Presidentit Obama për këtë çështje që kur programi doli në pah, pasi gazeta the Guardian njoftoi dje se Agjencia e Sigurisë Kombëtare po mblidhte të dhënat për tabulatet telefonike të miliona amerikanëve.

Më pas The Guardian, si edhe gazeta the Washington Post njoftuan për një proogram tjetër sekret, që mesa duket bën të mundur qasjen direkte të Agjencisë për Sigurinë Kombëtare tek serverat e nëntë komapnive kryesore amerikane të internetit.

Programet po kritikohen ashpër nga disa ligjvënës dhe organizata të lirive civile që janë kundër kompetencave të gjera të përgjimit që Kongresi ka miratuar pas sulmeve të 11 shtatorit.

Por zoti Obama tha se Kongresi është informuar hollësisht për programet që kur ato janë krijuar dhe u pëpoq të qetësonte amerikanët se telefonatat e tyre kanë mbetur private. Ai tha se qeveria po mbledh informacion vetëm për numrat e telefonave dhe kohëzgjatjen e telefonatave dhe jo për përmbajtjen e tyre.

Tabulatet telefonike të kompanisë Verizon u diskutuan në një dëshmi në Senat të Prokurorit të Përgjithshëm, Eric Holder.

Senatori repulikan nga Illinoi, Mark Kirk, u shpreh me shqetësim

“Kushdo që e inicioi këtë program e di se ka gabuar dhe unë ju kërkoj të mbani dokumentet dhe të mos eliminoni të dhënat që kanë të bëjnë me monitorimin aksidental të degëve të tjera të qeverisë”.

“Ashtu siç thashë, do ta diskutoja këtë çështje në një mjedis të përshatshëm”.

Kjo ndoshta do të thotë një dëshmi me dyer të mbylluara, ku të diskutohet çëshjta e tabulateve telefonike që përfshijnë numrat e telefonit dhe gjatësitë e bisedave, por jo përmbajtja e bisedave telefonike.

Aktivistët e lirive civile si Elizabeth Goitein e Qendrës Brennan për Drejtësinë janë të indinjuar nga përmasat e survejimit të tabulateve telefonike.

“Populli amerikan nuk ka patur dijeni për këtë dhe as mundësi dhe të drejta për ta apeluar, kjo nuk është mënyrë e mirë për të mbrojtur të drejtat tona nëpërmjet debateve sekrete dhe gjykatave sekrete”.

Por ka njerëz që e mbështesin këtë program, mes tyre edhe Senatori republikan nga Karolina e Jugut, Lindsey Graham.

“Unë jam klient i Verizon-it dhe nuk më shqetëson aspak që Agjencia Kombëtare e Sigurimit të ketë numrin tim të telefonit, sepse ata po përpiqen të monitorojnë aktivitetin e grupeve terroriste dhe individët që ata telefonojnë”.

Por kritikët si Elizabeth Goitein thonë se mund të jetë koha për të rishikuar taktikat e brendëshme të sigurisë në luftën kundër terrorizmit.

“Nuk jam e sigurt nëse ne këtu në Shtetet e Bashkuara kemi menduar mirë për mjetet që janë përdorur në përgjigje të gjendjes së krijaur pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit, nuk jam as e sigurt nëse është bërë mjaft për të vlerësuar sa efikase kanë qënë këto masa”.

Në fund të fundit, Presidenti Obama duhet të shpjegojë arsyet, thotë Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, John Boehner.

“Besoj se presidenti do t’i japë shpjegime popullit amerikan se pse administrata e konsideron këtë një mjet kritik në mbrojtjen e vendit tonë nga kërcënimet e sulmeve terroriste”.

Rasti i kompanisë Verizon pason edhe zbulimin e kohëve të fundit se qeveria kishte marrë në mënyrë sekrete edhe tabulatet telefonike të agjencisë së lajmeve Associated Press, në kuadër të një hetimi për rjedhjen e informcionit të një hetimi që kishte të bënte me sigurinë kombëtare.
XS
SM
MD
LG