Lidhje

SHBA, policia dhe komunitetet e banorëve


Dje u zhvilluan funeralet për tre nga pesë policët e vrarë nga një snajper në Dallas të Teksasit. Ndërkohë, gjatë një takimi në Shtëpinë e Bardhë, Presidenti Obama u shpreh se tensionet ndërmjet policisë dhe komuniteteve do të vazhdojnë për një periudhë të konsiderueshme.

“Nuk dëgjova asnjë nga pjesëmarrësit në këtë tryezë të sugjerojë një zgjidhje brenda natës, pasi rrënjët e problemeve që kemi parë këtë javë fillojnë dekada dhe shekuj më parë. Ka probleme kulturore dhe të racës në këtë vend, si dhe me varfërinë dhe një sërë aspektesh të tjera që nuk do të zgjidhen menjëherë.”

Rreth katër orë zgjati bashkëbisedimi i mbrëmshëm i Presidentit Obama me shefa policie, guvernatorë shtetesh, kryetarë bashkie, anëtarë të lëvizjes për të drejtat e zezakëve. Takimi synonte të nxiste udhëheqësit politikë të marrin masa për dhunën nga policia dhe të reformojnë drejtësinë penale.

“Mendoj se ky është dialogu më i sinqertë që kam dëgjuar. Shefa policie dhe aktivistë që flasin për nevojën për ndryshim, por edhe për disa nga sfidat e tyre.”

Takimi i së mërkurës në Shtëpinë e Bardhë u thirr pas vrasjes së pesë policëve në Dallas të Teksasit, nga një snajper ish-ushtarak, i cili ishte irrituar nga vrasjet e fundit të dy të rinjve afrikano-amerikanë në Minesota dhe Louisiana.

Ndërkohë, dje u mbajtën në Dallas funeralet për tre nga pesë policët e vrarë. Qindra oficerë policie u mblodhën për t’i dhënë lamtumirën e fundit kolegëve të tyre të rënë në krye të detyrës. Gjatë funeralit të oficerit të policisë 43-vjeçarit Bret Thompson, foli e veja e tij, e cila është gjithashtu punonjëse policie.

“Ky akt dhune dëmtoi organet ligjzbatuese në tërësi. Por, e mira gjithnjë do të triumfojë. Megjithëse jam zemërthyer dhe e lënduar, do të vesh uniformën time dhe do të rikthehem në detyrë përkrah vëllezërve dhe motrave të mia. I them atij që u mundua të thyejë vëllezërit dhe motrat e mia se urrejtja jote na ka bërë më të fortë.”

Shërbimet funerale për dy oficerët e tjerë të Dallasit do të mbahen në ditët në vazhdim.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG