Lidhje

SHBA, debat mbi luftën kundër Shtetit Islamik

  • Cindy Saine

Presidenti Barack Obama thotë se anëtarët e Kongresit, që janë me pushime këtë muaj, nuk do të lihen jashtë ndonjë vendimi të rëndësishëm lidhur me politikën amerikane ndaj grupit Shteti Islamik në Irak dhe Siri. Disa ligjvënës po i bëjnë thirrje Kongresit të zhvillojë debat dhe të votojë mbi një zgjerim të mundshëm të operacionit ushtarak, kur anëtarët e Kongresit të kthehen në punë në shtator.

Një grup i vogël, por i përbërë prej ligjvënësish nga të dyja partitë po i bën thirrje Kongresit të debatojë dhe votojë në se Presidenti Obama duhet, ose jo të autorizojë zgjerimin e operacioneve ushtarake amerikane kundër objektivave të Shtetit Islamik në Irak, ose ndoshta edhe matanë kufirit, në Siri. Një prej tyre është kongresmeni republikan Walter Jones i Karolinës së Veriut, i cili komentoi të premten për Zërin e Amerikës:

"Mund ta dini se unë ju bashkova ligjvënësve demokratë Jim McGovern dhe Barbara Lee për t'i shkruar një letër Kryetarit të Dhomës së Përfaqësuesve Boehner, për t'i kërkuar atij që të zhvillohet një debat në Kongres mbi një rezolutë, ku t'i thuhet Presidentit që për çdo zgjerim i veprimeve tona ushtarake në Irak, apo në rajone të tjera, se ai duhet t'i kërkojë mbështetje Kongresit."

Administrata tashmë ka autorizuar vëzhgimin e fluturimeve mbi hapësirën ajrore të Sirisë, dhe disa ligjvënës republikanë po i bëjnë thirrje presidentit të ketë një strategji gjithëpërfshirëse, jo thjesht ta shkatërrojë Shtetin Islamik, por të mposhtë grupin ekstremist suni, para se ai të përbëjë kërcënim për Shtetet e Bashkuara.

Disa republikanë shfrytëzuan një koment që bëri presidenti të enjten, i cili u shpreh se nuk ka ende një strategji për t'iu kundërvënë militantëve islamikë, duke e cilësuar këtë diçka shqetësuese.

Zoti Obama shpjegoi se është duke punuar për një strategji me këshilltarët e tij të lartë ushtarakë dhe me aleatët. Ai tha se një veprim nga Kongresi do të ishte parakohshëm tani për tani;

"Ne duhet të sigurohemi se kemi plane të qarta, të cilat jemi duke i zhvilluar. Atëhere unë do të konsultohem me Kongresin dhe do të sigurohem që zërat e tyre do të dëgjohen. Por unë nuk kam pse t'i kërkoj Kongresit të veprojë, para se të di me saktësi se çfarë do të na kërkohet për ta kryer misionin tonë."

Presidenti Obama tha se anëtarët e Kongresit patjetër që do të duhet të përfshihen në këtë çështje, ligjvënësit tha ai, do të duhet të autorizojnë fondet për sulme ajrore nga SHBA kundër Shtetit Islamik.

XS
SM
MD
LG