Lidhje

Disa ligjvënës bëjnë thirrje për ndihmë ushtarake për Ukrainën


Ndërkohë që tensionet në Ukrainë vazhdojnë të shkallëzohen, një numër ligjvënësish amerikanë janë duke i bërë thirrje Uashingtonit të bëjë më shumë për të ndihmuar në mbrojtjen e popullit të Ukrainës nga një pushtim i mundshëm rus pas aneksimit të kohëve të fundit të gadishullit ukrainas të Krimesë nga Moska.

Në Dhomën e Përfaqësuesve, kryetari i Komisionit të Forcave të Armatosura, Buck McKeon, dhe ligjvënësi Mike Turner kanë paraqitur një projekligj të ri i cili dënon agresionin rus në Ukrainë dhe i bënë thirrje administratës së Presidentit Obama të marrë masa më bindëse.

Ligjvënësi McKeon tha se ai beson se Rusia është duke provokuar trazira në Ukrainën lindore për të krijuar një arsye për ta pushtuar atë. Ai tha se legjislacionin e ri do të dënojë çdo veprim të mëtejshëm nga ana e Rusisë, dhe bënë thirrje për më shumë ndihma të tjera përveç ndihmave ekonomike për Ukrainën. Ligjvënësi republikan Mike Turner shpjegon:

"Ne duhet të ofrojmë asistencë teknike, në mënyrë që Ukraina ta kuptojë se me çfarë kërcënimi rus po përballet, dhe këshilla ushtarake se si ata mund ta pozicionojnë dhe shfrytëzojnë ushtrinë e tyre ndërkohë që ata po shqyrtojnë mundësitë e kundërshtimit të forcave të Rusia".

Në një seancë më parë të martën, Derek Chollet, ndihmës sekretar i mbrojtjes për çështjet ndërkombëtare të sigurisë, i tha Komisionit të Forcave të Armatosura se, në përgjigje të një kërkese nga qeveria e Ukrainës, Shtetet e Bashkuara kanë dërguar 300 mijë pako me ushqime të gatshme për ushtrinë e Ukrainës. Disa ligjvënës thanë se kjo nuk është e mjaftueshme për t’u përballur me kërcënimet nga Rusia.

Ndërkohë, në një seancë dëgjimore në senat, Sekretari i Shtetit John Kerry tha se Presidenti Barak Obama është duke përgatitur një seri shumë të ashpër të sanksioneve nëse Rusia nuk heq dorë nga ajo që ai e quan "përfshirje të qartë dhe të padyshimtë " të saj në destabilizimin e Ukrainës lindore.

Në fillim të prillit, Kongresi amerikan miratoi një projekt-ligj që bën thirrje për dhënien e 1 miliard dollarëve në hua të garantuara Ukrainës dhe vendosjen e sanksioneve të reja ndaj Rusisë për shkak të aneksimit të Krimesë.
XS
SM
MD
LG