Lidhje

SHBA: hetime për sulme kibernetike


Autoritet amerikane po hetojnë rreth asaj që besojnë se është një seri sulmesh kibernetike e shërbimeve ruse të zbulimit ndaj gazetës "New York Times" dhe organeve të tjera të shtypit.

Përpjekjet për t’u futur në sistemet e tyre kompjuterike janë kryer gjatë disa muajve të kaluar. Sulmet mendohet të jenë pjesë e një sulmi më të orkestruar drejtuar ndaj Partisë Demokratike dhe kandidates së saj për president Hillary Clinton.

Autoritetet amerikane thonë se sulmet duken se drejtoheshin ndaj organizatave jo-qeveritare, si institucionet studimore në Uashington dhe organizatat e lajmeve, për të kuptuar zhvillimet politike në Amerikë para zgjedhjeve presidenciale të 8 nëntorit.

Përmes informacioneve të gazetarëve autorët e sulmeve mund të mësojnë cilat janë burimet e tyre ose edhe informacione të tjera për artikuj ende të pabotuar që kanë të bëjnë me Rusinë.

Pak para kuvendit kombëtar democrat, WikiLeaks botoi rreth 19 mijë e-maile të zyrtarëve të lartë të partisë demokrate që ishin vjedhur nga serverat e kompjuterve të selisë së partisë në Uashington.

WikiLeaks nuk ka pranuar të thotë se nga i ka siguruar e-mailet, por zyrtarët amerikanë thonë se ata besojnë se burimi i tyre kanë qënë individë nga Rusia.

XS
SM
MD
LG