Lidhje

Ligjvënësit, kritika për sigurinë kibernetike


Ligjvënësit amerikanë i kritikuan rëndë zyrtarët qeveritarë të punësimit dhe të teknologjisë, ngaqë nuk mundën të parandalojnë një sulm kibernetik që zbuloi informacionet personale të të paktën 4,2 milionë punonjësve dhe ish-punonjës federalë dhe ndoshta edhe miliona të tjerëve.

"Ju dështuat tërësisht”, - i tha kongresmeni Jason Chaffetz shefes së Zyrës së Menaxhimit të Personelit, OPM, në Agjencinë e Punësimit për Qeverinë, Katherine Archuleta.

Kongresmeni Chaffetz, që është Kryetar i Komisionit që Mbikqyr Dhomën e Përfaqësuesve, tha se “postimi i të dhënave të sigurisë të OPM-it ishte njëlloj sikur t’i lesh hapur të gjitha dyert dhe dritaret e shtëpisë, dhe të presësh që askush të mos hyjë brenda për të marrë informacione. Por ata e patën shumë gabim, - tha kongresmeni.

Zoti Chaffetz pyeti se përse informacionet personale të punonjësve qeveritarë dhe atyre të dalë në pension nuk ishin hedhur me një kod sekret, pasi komiteti mbikqyrës i agjencisë paralajmëroi vitin e kaluar se ato ishin vulnerabël ndaj një sulmi kibernetik.

Shefja e Personelit, Archuleta, ju përgjigj: “Kjo gjë nuk është e realizueshme në sisteme që janë shumë të vjetra.”

Ajo tha se sistemet e teknologjisë në Shtetet e Bashkuara janë nën sulme të vazhdueshme nga qeveri të huaja, kriminelë dhe interesa të biznesit.

"Këta kundërshtarë tanët janë të sofistikuar, të mirëfinancuar dhe të fokusuar”, - tha zonja Archuleta. "Këto sulme jo vetëm që nuk do të ndalin, por ato do të shtohen”- shtoi ajo.

Në dy javët e fundit, Shtetet e Bashkuara identifikuan dy sulme kibernetike ndaj dokumentacionit të punonjësve qeveritarë, duke thënë se ato kanë ndodhur gjatë disa muajve të fundit dhe se ndoshta kanë filluar shumë më parë. Disa zyrtarë kanë fajësuar interesat shtetërore të Kinës për sulmin, por sulmet janë ende duke u hetuar. Kina ka mohuar përfshirjen në to.

Zonja Archuleta refuzoi t’u përgjigjej pyetjeve lidhur me shtrirjen e sulmit në seancën publike. Ajo i tha anëtarëve të Kongresit se do t’i diskutonte çështje të kësaj natyre vetëm në një takim me dyer të mbyllura.

XS
SM
MD
LG