Lidhje

SHBA, demokratët shqetësohen për unitetin e partisë


Jo shumë kohë më parë rritja politike e miliarderit Donald Trump bëri të parashikohej një shpërthim në Partinë Republikane. A do të pranonte partia Republikane e Lincolnit dhe Reaganit t’ia dorëzonte frenat e udhëheqjes një ish-ylli spektaklesh televizive që ky pastaj të mburrej e shfrynte në mediat sociale?

Republikanët duket se po e kalojnë pikën e tyre të krizës. Por tani është Partia Demokrate që po hyn në këtë fazë, si pasojë e një beteje përçarëse në zgjedhjet paraprake. Dhe mënyra se si partia i trajton këto tensione mund të përcaktojë nëse demokratët do të jenë në gjendje për të mbajtur presidencën për një mandat të tretë radhazi në fillim të vitit 2017.

Rezultatet paraprake luhaten, por tensionet shtohen

Favoritja demokrate për presidente, Hillari Klinton deklaroi fitore të ngushtë në zgjedhjet paraprake të së martës në Kentucky, edhe pse rivali i saj, Bernie Sanders vazhdoi rrugën e tij me një fitore në Oregon. Zonja Klinton mbetet në drejtimin e duhur për të marrë emërimin e Partisë Demokrate, ndoshta më 7 qershor. Por zoti Sanders nuk ka dhënë asnjë shenjë për të dalë nga gara. Tensionet mes dy fushatave janë në rritje, duke shkaktuar frikë mes disa demokratëve se nëse tensionet vazhdojnë, partia do ta ketë të vështirë të dalë e bashkuar kur të përballet me kandidatin e pritshëm republikan, Donald Trump.

Hillari Klinton kryeson garën ndaj kanditatit Sanders në numërin e delegatëve, me një diferencë të mjaftueshme dhe e vetmja mënyrë që senatori nga Vermonti mund të arrijë të fitojë është nëse siguron shumicën e votave në zgjedhjet paraprake në shtetet e mbetura dhe duke detyruar tërheqjen e super-delegatëve që aktualisht mbështesin zonjën Klinton. Të dy janë mbërthyer në këtë pikë.

Mbështetësit e kandidatit Sanders janë të zemëruar

Por Berni Sanders e bëri të qartë në një miting të martën mbrëma në Karson të Kalifornisë, se ai nuk heq dorë nga gara. "Do të jetë një rrugë e përpjetë. E di. Por ne kemi mundësi për të shkuar në kuvend në Filadelfia duke patur një shumicë delegatësh, " – tha ai.

Kandidati Sanders tha gjithashtu se Partia Demokrate duhet të jetë më mikpritëse për mbështetësit e tij, të cilët "janë të gatshëm për të luftuar për ndryshim të vërtetë ekonomik dhe shoqëror." Dhe paralajmëroi se ruajtja e “status quosë” do të ishte "një alterantivë shumë e trishtuar dhe tragjike" për partinë.

Tensionet mes dy fushatave u shfaqën kohët e fundit në kuvendin e demokratëve të shtetit Nevada, kur mbështetësit e zotit Sanders shprehën zemërimin e tyre ndaj zyrtarëve të partisë në lidhje me procesin e zgjedhjes së delegatë për të marrë pjesë në Kuvendin Kombëtar Demokrat në Filadelfia në korrik. Disa aktivistë të zotit Sanders hodhën karrige, dhe më vonë bënë disa kërcënime në drejtim të kryetares së kuvendit, Roberta Lange.

Shqetësimet në lidhje me Kuvendin e Filadelfias

Disa demokratë shqetësohen se tensionet që ziejnë në zgjedhjet paraprake mund të çojnë në probleme në Kuvendin e korrikut. Udhëheqësi demokrat i Senatit Harry Reid i kërkoi zotit Sanders të luajë rol udhëheqës në qetësimin e mbështetësve të tij. Bernie Sanders lëshoi një deklaratë, ku tha se "dënon të gjitha format e dhunës", por vuri në dukje se nuk ka pasur incidente në mitingjet e tij në pjesë të tjera të vendit.

Në tubimet e saj të fundit, Hillari Klinton është përpjekur për ta kthyer fokusin e saj mbi kandidatin republikan, Donald Trump. "Ai mund të thotë çfarëdo që dëshiron për mua personalisht. Por unë do ta luftoj atë për çdo amerikan që sulmon dhe fyen! ", - u tha zonja Klinton mbështetësve të saj në Kentucky.

Mënyra e ndërlikuar Hillarit

Por aftësia e zoti Sanders për të tërhequr turma të mëdha mbështetësish për frenimin e përpjekjeve të zonjës Klinton për të shkuar përtej përçarjeve të fushatës paraprake mund të zhvendosin fokusin e saj ndaj zotit Trump.

Suksesi i senatorit Sanders në zgjedhjet e paraprake ka precedent historik, thotë analisti William Galston në Institutin Brookings në Uashington. Ai shton se "fitoret e vonuara nga humbësit nuk janë aspak të pazakonta. Ne pamë pothuajse të njëjtën gjë në vitin 1992, kur Bill Klinton mori emërimin e Partisë Demokratike.” Analisti Goldstonë thotë se dobësia e tanishme e demokratëve nuk është asgjë në krahasim me fushatën presidenciale të vitit1968, kur Partia Demokrate u përça.

Sanders shikon për rrugëdalje

Suksesi i vazhdueshëm e kandidatit Sanders në zgjedhjet paraprake dhe aftësia për të tërhequr përkrahës mund t'i japë atij ndikim të vlefshëm politik në kuvendin kombëtar në Filadelfia. "Qëllimi i tij tani është i qartë për të ndikuar në platformë, për të ndikuar tek Hillary Klintoni dhe për të vazhduar për ta mbajtur atë majtas," - thotë Melinda Henneberger, redaktore e revistës “Roll Call”.

Por përfundimisht, analisti Galston parashikon se kandidati Sanders do të duhet të marrë hapa për ta unifikuar partinë rreth zonjës Klinton, për të mundur Donald Trumpin. "Ajo ka disa punë për të bërë, kështu edhe senatori Sanders. Dhe unë do të thoja se përgjegjësia kryesore për sjelljen e mbështetësve të tij bie mbi atë vetë, dhe jo mbi zonjën Clinton”. - tha analisti.

Një herë, Bernie Sanders është shprehur se do të jetë i gatshëm për ta bërë këtë. "Ndërsa ne mund të kemi shumë mosmarrëveshje me Sekretaren Klinton, ka një zonë ku pajtohemi, dhe kjo është që ne duhet të mposhtim Donald Trumpin!", - u tha ai mbështetësve gjatë një tubimi të fundit në Oregon.

Rruga drejt unitetit

Shumë analistë presin që demokratët do të jetë në gjendje për të zgjidhur mosmarrëveshjet mes tyre dhe të bashkohen pas zonjës Klinton, gjatë dhe pas kuvendit. "Unë mendoj se mbështetësit e Bernie Sandersit do të përkrahin Hillary Clintonin," - thotë John Fortier, i Qendrës së Politikave Dypartiake. "Kjo mund të marrë një muaj pas kongresit, kur ata të pyesin se çfarë është alternativa më e mirë - Hillary Clinton për presidente, apo një republikan, i cili është shumë larg nga pikëpamjet tona?".

Por, për të arritur në këtë pikë duhen disa muaj dhe javët përpara mund të sfidojnë aftësitë unifikuese të kandidatëve Klinton dhe Sanders. Shenjat e hershme janë se për të bashkuar demokratët mund të duhen shumë më tepër aftësi dhe lëshime politike, sesa mendohej një vit më parë.

XS
SM
MD
LG