Lidhje

Vritet udhëheqësi i Al-Qaidas në Jemen


Nasir al-Wuhayshi, zëvendësshef i Al-Qaidas udhëheqësi i degës së kësaj organizate në Jemen, është vrarë gjatë një sulmi nga një avion amerikan pa pilot

Grupi Al-Qaida tha të martën se Nasir al-Wuhayshi, zëvendësshef i saj dhe udhëheqësi i degës së kësaj organizate në Jemen, është vrarë gjatë një sulmi nga një avion amerikan pa pilot javën e kaluar.

Në një video deklaratë, grupi tha se në sulmet e së premtes në qytetin juglindor të Mukallas janë vrarë Wuhayshi dhe dy të tjerë. Në video shpallet edhe emërimi i Qassim al-Rimit si udhëheqës i ri i al-Qaidas në gadishullin arabik.

Zyrtarët amerikan thanë të hënën vonë se po punojnë për të konfirmuar vdekjen e Wuhayshit, por nuk thanë nëse CIA qëndron pas sulmit me fluturake pa pilot.

Wuhayshi ishte zëvendës i udhëheqësit të Al-Qaidas, Ayman al-Zawahiri dhe një kohë ndihmës i ish udhëheqësit terrorist Osama bin Laden. Në vitin 2009 ai u bë udhëheqës i grupit në gadishullin arabik të cilin Shtetet e Bashkuara e cilësojnë si degën më të rrezikshme të Al-Qaidas.

Nën drejtimin e Wuhayshi, grupi ka kryer disa komplote të nivelit të lartë, përfshirë përpjekjet për të hedhur në erë një avion amerikan në ditën e krishtlindjeve në vitin 2009. Në janar, grupi mori përsipër përgjegjësinë për sulmin vdekjeprurës në zyrat e revistës satirike Charlie Hebdo në Paris.

Shtetet e Bashkuara kishin ofruar një shpërblim prej 10 milion dollarësh për informacionet që mund të çonin në arrestimin e Wuhayshit.

Për gjashtë vjet me radhë, fushata amerikane e sulmeve me avion pa pilot, përfshiu mbi 100 sulme në Jemen ndaj militantëve të grupit në gadishullin arabik. Gjatë këtij viti sulmet e tilla vranë klerikun kryesor të grupit Ibrahim al-Rubaish dhe një nga komandantët kryesor Harith al-Nadhari.

Programi u ndërlikua pasi që kryengritësit huthi që detyruan presidentin Abdu Rabu Mansour Hadi të arratiset në Arabinë Saudite, morën bazën ajrore Al-Anad, që shërbente si një zonë e rëndësishme e zbulimit për personelin amerikan që drejton sulmet me fluturake pa pilot.

Qeveria e Hadit kishte dhënë lejen për ndihëm amerikane në luftën disa vjeçare kundër Al- Qaidas në gadishullin arabik, por huthit, me gjithë përleshjet e tyre me militantet, hapur u janë kundërvënë sulmeve me fluturake pa pilot.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG