Lidhje

Shtohen kritikat për sulmet me avionë luftarakë me telekomandë

  • Henry Ridgwell

Sulmet e telekomanduara kanë eleminuar terroristë të rrezikshëm

Përdorimi i avionëve luftarakë pa pilot nga Shtetet e Bashkuara për të goditur objektivat terroriste po gjendet gjithnjë e më shumë nën kritika si brenda, ashtu edhe jashtë vendit. Ata që mbështesin këtë program thonë se avionët e telekomanduar kanë qënë shumë të efektshëm në goditjen e terroristëve, ndërkohë që kritikët shprehen se kjo veprimtari mund të bjerë ndesh me ligjin ndërkombëtar.

Avionët pa pilot, të telekomanduar, po përdoren shpesh në luftën kundër grupeve terroriste si al-Qaida.

Një analizë e kohëve të fundit nga Fondacioni Amerika e Re përllogarit që sulmet me këto avionë në Pakistan dhe Jemen që nga viti 2004 kanë vrarë mbi 3 mijë militantë. Ndërsa vdekjet mes civilëve shkojnë deri në 368.

Profesori Christopher Coker i universitetit “Shkolla Londineze e Ekonomisë” është autor i një libri mbi teknologjinë ushtarake dhe ndryshimet që ka sjellë ajo në luftime.

“Janë gjashtë baza amerikane, katër në Amerikë, një në Gjermani dhe një në Korenë e Jugut nga ku ndërmerren shumica e sulmeve të telekomanduara. Ka një zinxhir komande që jep urdhërin për të goditur pas orësh të tëra vëzhgimi të situatës në ekran.”

Gazeta “New York Times” njoftoi të djelën se Pakistani po lejon avionët amerikanë në hapësirën e tij ajrore me kusht goditjen e armiqve të Pakistanit me aeroplanë të telekomanduar. Qeveria e Pakistanit e mohon këtë, ndërkohë që Washingtoni nuk ka bërë komente.

Sulmet me avionë pa pilotë kanë shkaktuar demostrata në Pakistan. Arif Niazi është avokat në Islamabad.

“Këto sulme që vazhdojnë, janë agresion i hapur, ndërhyrje në vendin tonë dhe shkelje e sovranitetit.”

Marco Roscini, ekspert ligjesh në universitetin “Westminster”, thotë se ligjshmëria për sulmet me avionë me telekomandë është e mjegullt.

“Dihet që shumica e sulmeve thuhet se kryhen nga CIA dhe operacionet e tyre të fshehta. Nuk dihet se përse, apo kur, një individ vihet në listën e objektivit.”

Ndërsa Christopher Coker thotë se rregullat për veprimet e CIA-s janë të ndryshme nga rregullat për sulmet e ushtrisë.

“Ushtria mund të godasë ndaj dikujt vetëm në se është 100 përqind e sigurtë se objekti është armik. Ndërsa CIA bazohet tek veprimet e një idividi që i bëjnë ata të mendojnë se ai është armik.”

Mbështetësit e sulmeve me avionë me telekomandë theksojnë eleminimin e drejtuesve të lartë si drejtuesi i dytë në komandën e al-Qaidës Abu Yahya në Pakistan vitin e kaluar.

Por ka patur polemika rreth përdorimit të avionëve me telekomandë kundër shtetasve amerikanë që dyshohen për terrorizëm. Drejtori i CIA-s John Brennan e trajtoi këtë çështje në muajin shkurt, gjatë seancës për konfirmimin e tij në Senat.

“Çdo amerikan që e bën një gjë të tillë, duhet ta dijë se faktikisht është bërë pjesë e një armiku kundër nesh, ndaj Shtetet e Bashkuara do të bëjnë gjithçka për ta shkatërruar këtë armik dhe mbrojtur jetët e amerikanëve.”

Ndërsa pjesa dërmuesee forcave të NATO-s pritet të largohet nga Afganistani deri nga fundi i 2014-ës, analistët thonë se avionët me telekomandë mund të luajnë një rol më të madh në luftën e Perëndimit kundër grupeve terroriste.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG