Lidhje

Fillon lirimi i të burgosurve në SHBA


Shtetet e Bashkuara do të fillojnë lirimin e numrit më të madh të të burgosurve në historinë amerikane, pas uljes së dënimeve federale për kategori të caktuara përdoruesish të drogës. Mijëra të burgosur do të lirohen më 2 nëntor duke iu zbritur mesatarisht dy vite nga dënimi i tyre.

Një udhëtim me autobuz për tek farmacia është shijimi i vetëm i lirisë që ka përjetuar Greg Nelson gjatë tre viteve të fundit.

Në vitin 2012, policia e kapi duke i dorëzuar një klienti heroinë me vlerë 6 mijë dollarë. Nelson ishte shpërndarës droge dhe gjithashtu përdorues i ndërvarur.

Ai është tani një ndër 6 mijë të burgosurit që do të lirohen më herët bazuar mbi udhëzimet e reja federale që synojnë zbutjen e dënimeve për krime jo të dhunshme dhe për të ulur mbipopullimin në burgje. Julie Stewart drejton organizatën “Familjet kundër Minimumit të Detyrueshëm”.

“Vetëm kemi burgosur njerëz pa pushim, sepse është e lehtë. Na bën të ndjehemi më mirë, por jo më të sigurtë. Dhe, është e kushtueshme.”

Krimi në SHBA ka rënë me 12% gjatë pesë viteve të fundit. Kritikët e zbutjes së dënimeve thonë se tani do të rritet sërish.

“Sido që të sillet shpërndarësi i drogës, për ne ky nuk është një krim jo i dhunshëm.”

Shtëpitë e rehabilitimit, si ajo ku ndodhet zoti Nelson, mezi po përballojnë numrin e të liruarve më herët.

Qendra e drejtuar nga Jennifer Masslieno këshillon të burgosurit për punësimin dhe strehimin. Ata qëndrojnë këtu përpara se të lirohen plotësisht. Studimet tregojnë se 3 nga 4 të liruar nga burgu arrestohen sërish. Zonja Masslieno thotë se programe rehabilitimi në shoqëri mund ta ndryshojnë këtë raport.

“Duhet t’u jepen mjetet për të qenë të suksesshëm dhe që të mos rikthehen tek stili i jetesës që kishin para se të burgoseshin.”

“Të rifusin në shoqëri, por shumë ngadalë.”

6 mijë të liruarit e parë do të jenë vetëm fillimi. Në vitet në vazhdim do të lirohen edhe 40 mijë të tjerë, pothuajse gjysma e të gjithë të burgosurve amerikanë për krime droge.

XS
SM
MD
LG