Lidhje

Mbyllja e qeverisë dhe ekonomia

  • Zllatica Hoke

Vazhdimi i mosmarrëveshjeve mbi buxhetin mes republikanëve dhe demokratëve në Kongresin amerikan po ngre shqetësime se partitë rivale mund të mos bien dakord mbi ngritjen e tavanit të borxhit të vendit deri në mes të këtij muaji dhe kjo do të shkaktonte që qeveria të mos paguajë borxhet. Si Departmaneti i Thesarit edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar u kanë bërë thirrje ligjvënësve që t’i japin fund krizës së buxhetit sa më parë që të jetë e mundur për të shmangur dëmtimin e mundshëm të ekonomisë globale.

Anketat e opinionit tregojnë se një numër në rritje amerikanësh fajësojnë Partinë Republikane për mbylljen e qeverisë. Gjatë ditëve të fundit, vemendja është përqëndruar kryesisht tek njëri prej ligjvënësve, udhëheqësi i shumicës republikane në Dhomën e Përfaqësuesve, John Boehner. Si krytar i kësaj dhome, ai ka bllokuar votimin mbi një projekt-ligj të përkohshëm për buxhetin, që do të mbante shpenzimet në nivelet e tanishme. Për një masë të tillë ekziston mbështetje nga të gjithë demokratët dhe disa republikanë.

Presidenti Barack Obama iu bashkua dje zërave të kritikëve të zotit Boehner kur foli me një grup punëtorësh ndërtimi në një lagje periferike të Uashingtonit:

“Në Dhomën e Përfaqësuesve ka një numër të mjaftueshëm republikanësh dhe demokratësh, që cilët, nëse Kryetari i Dhomës John Boehner do t’i lejonte të votonin, mbyllja e qeverisë do të përfundonte sot”.

Zoti Boehner nuk ka lejuar deri tani votimin mbi një projekt-ligj të përkohshëm, që do të bënte të mundur kthimin në punë të 800 mijë punonjësve federalë. Analistët politikë citojnë dy arsye për këtë: Së pari, zoti Boehner do të humbiste mbështetjen e grupeve konservatore madje edhe pozitën e tij të Kryetarit të Dhomës së Përfaqësuesve dhe së dyti, ai do të humbiste pushtetin për të negociuar me demokratët lidhur me një buxhet të ri.

Ndërkohë, republikanët kanë kritikuar demokratët në Senat për hedhjen poshtë të idesë për të financuar disa agjenci dhe programe, si për shembull kurimin nga kanceri të fëmijëve në Institutin Kombëtar të Shëndetsisë.

Dje, një grup republikanësh u përpoqën të tërhiqnin vemendjen për vështirësitë që po krijon mungesa e fondeve për këtë program. Renee Ellmers, republikane nga Karolina e Veriut dhe ish informjere, foli me pasion në emër të fëmijëve me kancer dhe familjeve të tyre:

“Nëse keni parë fytyrën e prindërve kur u thuhet se fëmija ka kancer dhe më pas ata humbasin çdo shpresë, në momentin kur ata e dinë se mund të luftojnë, ata e bëjnë këtë menjëherë”.

Sipas një përllogaritjeje, mbyllja e qeverisë federale do të kushtojë të paktën 300 milion dollarë në ditë dhe kjo shifër mund të rritet.

Drejtorja e FMN-së, Christine Lagarde paralajmëroi dje se kriza e buxhetit mund të dëmtojë edhe ekonominë globale:

“Pasiguria e vazhdueshme politike mbi buxhetin dhe kufirin e borxhit nuk ndihmon. Mbyllja e qeverisë federale është shumë negative. Por dështimi për të ngritur tavanin e borxhit do të ishte diçka shumë më e rëndë dhe do të dëmtonte seriozisht jo vetëm ekonominë amerikane, por edhe të gjithë ekonominë globale”.

Shtetet e Bashkuara duhet të ngrenë kufirin e borxhit para 17 tetorit për të shmangur mundësinë e mospagimit të borxheve.
XS
SM
MD
LG