Lidhje

Çështjet e rëndësishme që përcaktojnë votën


Votimi i hershëm është duke u zhvilluar në 37 shtete amerikane, me miliona votues që kanë hedhur votën e tyre para zgjedhjeve të 8 nëntorit. Votuesit në shtetet fushëbetejë si Karolina e Veriut po injorojnë retorikën përçarëse të fushatës dhe po votojnë për çështje të rëndësishme për ta.

Votuesi i Karolinës së Veriut, Scott Herrick mezi priste ta hidhte votën e tij në zgjedhjet presidenciale të këtij viti. Ai thotë se çështja e ambjentit ishte e rëndësishme për të.

“Besoj se ndyshimet klimatike janë një faktor dhe Hillary Clinton ka të njëjtën filozofi me mua për këtë çështje. Nuk besoj se kishim zgjedhje tradicionale mes një republikani dhe një demokrateje këtë vit. Mendoj se ato ishin mes një demokrateje dhe një lloj totalitari."

Republikani Lewis Hutchinson votoi për Donald Trumpin. Ai është i shqetësuar rreth humbjes së vendeve të punës dhe kërkon masa më të rrepta për imigracionin.

"Më pëlqejnë idetë e Trumpit për mbylljen e kufijëve për myslimanët. Nuk them t’i mbajmë myslimanët jashtë. Por ata duhet të vijnë këtu në mënyrë të ligjshme."

Votuesja Sylvia Richardson imigroi në Shtetet e Bashkuara nga Afrika. Ajo nuk bie dakort me politikat e Trumpit për imigracionin.

"Trumpi flet sikur do t’i largojë të gjithë nga Shtetet e Bashkuara. Jo. Shumica e njerëzve këtu janë imigrantë. Sigurisht që ka njerëz të këqinj që mund të largohen nga Shtetet e Bashkuara, por mes atyre ka edhe të mirë."

Studentja Mattie Heyn ishte votuese për herë të parë. Ajo thotë se të drejtat e grave dhe edukimi ishin çështjet më të rëndësishme për të.

"Fëmijët janë ata që ndërtojnë të ardhmen. Në se ata nuk kanë themele të forta, është e vështirë për ta të rriten."

Geba McDaniel e sheh gjithashtu edukimin si një çështje të rëndësishme. Ajo do që djali i saj Malik të shoh se demokracia funksionon.

"Kam tre fëmijë. Malik është 14 vjeç dhe desha t’i tregoj se duhet thjesht të votosh”.

Malik nuk mund të votojë derisa të jetë 18 vjeç, por e ëma e tij shpreson se ai do ta kuptojë se është e drejta e tij të marr pjesë në procesin demokratik.

XS
SM
MD
LG