Lidhje

Kalimi i pushtetit presidencial në SHBA, shenjë vazhdimësie dhe stabiliteti

  • Keida Kostreci

Gjatë një viti zgjedhjesh, vëmendja përqendrohet tek kandidatët presidencialë, platformat dhe fushatat e tyre. Por disa muaj para votimit, larg zhurmës, fillon puna për transferimin e pushtetit.

Ky rit në Shtetet e Bashkuara, është shenjë e një demokracie të sofistikuar, por në të njëjtën kohë edhe një proces kompleks logjistik për të garantuar që të mos krijohet hendek në qeverisje, pas zgjedhjeve presidenciale.

“E gjithë ideja e procesit të transferimit të pushtetit, është që të ruhet stabilteti, ndërkohë që bëhet zhvendosja në drejtim të politikës së kandidatit që fiton”, thotë Stephen Wayne, profesor i shkencave politike në Universitetin Georgetown dhe një ekspert i presidencës amerikane.

Një proces kompleks

Procesi i transferimit të pushtetit, përfshin Shtëpinë e Bardhë, fushatat dhe agjencitë e ndryshme qeveritare. Në zgjedhjet e këtij viti, ekipi i kandidates demokrate, Hillary Clinton drejtohet nga ish-sekretari i Burimeve Natyrore, Ken Salazar; ndërsa ajo e rivalit të saj republikan nga Guvernatori i Nju Xhërsit, Chris Christie.

Të dyja ekipet punojnë në të njëjtën godinë qeveritare, në shëtitoren Pennsylvania, shumë pranë Shtëpisë së Bardhë dhe funksionimi i tyre bëhet i mundur nga një fond qeveritar. Një ditë pas zgjedhjeve, procesi i transferimit të pushtetit kalon në fazën më intensive mes eipeve të kandidatit ose kandidates fituese dhe asaj të administratës.

David Eagles, drejtor i Qendrës për Transferimin e Pushtetit Presidencial në Partneritetin për Shërbimin Publik, thotë se qendra e tij po ndihmon ekipet e kandidatëve që të jenë gati për të qeverisur që në ditën e parë, nëse fitojnë.

“Transferimi i pushtetit ka qenë gjithmonë masiv, i ndërlikuar dhe një periudhë delikate për vendin, por ne mendojmë se nëse procesi menaxhohet në mënyrë strategjike, paraqet një nga shanset më të mira për ta bërë qeverinë më efektive”, thotë ai.

Ekipet e tranzicionit mbledhin informacion, analizojnë kandidatët e mundshëm për poste qeveritare dhe emërime të tjera politike në administratën e re dhe bashkëpunojnë me personelin e presidentit. Takimi i parë për transferimin e pushtetit u bë në gusht në Shtëpinë e Bardhë.

“Takimi u përqendrua tek hapat që qeveria federale dhe përfaqësuesit e dy kandidatëve do të duhet të ndërmarrin gjatë pesë muajve të ardhshme, ndërsa bëhen gati që njëri prej tyre të bëhet president”, tha pas atij takimi fillestar, zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Josh Earnest.

Një proces i shkëputur nga polemikat e fushatës

Pavarësisht se sa agresive është fushata presidenciale – dhe pothuajse të gjithë janë dakord që fushata e këtij viti ka qenë veçanërisht e ashpër – procesi i kalimit të pushtetit, është krijuar në mënyrë të tillë, që të mos ndikohet nga retorika e fushatës.

“Praktika më e mirë në këtë rast është që aparati i transferimit të pushtetit, aparati i të qeverisurit, është krejtësisht i shkëputur nga aparati i fushatave dhe përpjekjeve për të fituar”, thotë zoti Eagles.

Sepse siç thotë profesor Wayne: “Zgjedhjet krijojnë ndasi, por pas zgjedhjeve duhet të bashkohemi. Dhe qeveria vazhdon punën; njerëzit duan që t’u plotësohen nevojat; duan të marrin viza, duan që ushtria t’i mbrojë, duan të marrin hua dhe t’i kenë të garantuara, prandaj nuk thua dot ‘më falni por qenka shumë e ndërlikuar’”.

Zoti Eagles thotë se kandidatët duhet ta kuptojnë që qeverisja është ndryshe nga fushata dhe duhet të planifikosh me kohë.

“Nëse nuk i merr masat që herët, do të të duhet një vit, dy vjet që të zyrtarët të zënë postet e tyre dhe publiku amerikan nuk do ta pranojë një gjë të tillë, nuk duhet të vendoset në një pozitë të tillë”, thotë ai.

Vazhdimësi që del mbi politikën

Por nuk bëhet fjalë thjesht për të kryer detyrimet publike. Një transferim i rregullt i pushtetit tregon se struktura institucionale e vendit, është e konsoliduar.

“Është shumë e rëndësishme, që nëse e do vendin tënd, dhe e do sistemin kushtetues, ta mbrosh dhe të mos ta trondisësh atë. Ne nuk kemi një qeveri autokrate këtu në Shtetet e Bashkuara dhe kështu duam të vazhdojmë ta kemi sistemin. Prandaj, të ndihmosh të zgjedhurit e rinj të marrin nën kontroll qeverisjen, edhe nëse nuk të pëlqejnë, edhe nëse ke votuar kundër tyre, është jashtëzakonisht e rëndësishme”, thotë Profesor Wayne.

Në këndvështrimin e tij, transferimi më efikas i pushtetit, ishte nga Presidenti republikan George W. Bush, tek demokrati Barack Obama. Në një tregues se nevoja e vazhdimësisë së qeverisjes, është më e rëndësishme se ndasitë politike, zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Earnest thotë se Presidenti Obama dhe ekipi i tij përfituan jashtëzakonisht nga efektiviteti i atij kalimi pushteti.

“Mendoj se reflekton një nivel përkushtimi ndaj profesionalizmit dhe demokracisë dhe Presidenti Obama dhe ekipi i tij janë të vendosur të bëjnë të njëjtën gjë”.

Megjithëse në një formë ose një tjetër, transferimi i pushtetit në Shtetet e Bashkuara ka ekzistuar për mbi 200 vjet, Ligji për Transferimin e pushtetit, që parashikonte fonde për këtë proces, u miratua shumë më vonë, në vitin 1963, gjatë administratës së presidentit John F. Kennedy. Pas vrasjes së tij, d Lyndon Baines Johnson vazhdoi mandatin dhe më pas fitoi në zgjedhjet e ardhshme, kështuqë transferimi i pushtetit presidencial u bë për herë të parë zyrtarisht në vitin 1968 kur fitoi Richard Nixon.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG