Lidhje

Fushata e zgjedhjeve presidenciale në SHBA


Donald Trump dhe Hillary Clinton në katër muajt e fundit u angazhuan në garën me rivalët brenda partive të tyre. Në pesë muajt që kanë mbetur deri në ditën e zgjedhjeve, ata do të përqëndrohen tek njëri tjetri, ndërsa luftojnë për postin e presidentit të ardhshëm të Shteteve të Bashkuara.

Secili prej tyre përballet me sfida përpara zgjedhjeve të 8 nëntorit.

Detyra më imediate e zonjës Clinton është të bindë përkrahësit e apasionuar të senatorit të Vermontit Bernie Sanders, që ta mbështesin atë, tani që ajo është kandidatja e Partisë Demokrate.

"Mendoj se në dy javët e ardhshme ne me siguri do të shohim që zoti Sanders ka për të pranuar emërimin e zonjës Clinton dhe besoj se shumë shpejt, por pa dyshim para kuvendit të partisë, ai do t’u bëjë thirrje dhe do t’i bindë edhe përkrahësit e tij, që ta mbështesin zonjë Clinton, - i tha Zërit të Amerikës Robert Smith, profesor i shkencave politike në Universitetin e San Franciscos.

Tetë vjet më parë, zonja Clinton ishte në pozicionin që është sot zoti Sanders, pasi humbi garën me zotin Obama për emërimin e partisë. Ajo e ndihmoi zotin Obama në fushatën e tij për të mundur kandidatin republikan John McCain.

Strategu i demokratëve Garry South thotë se zonja Clinton po ashtu duhet t'u japë votuesve një arsye për ta pëlqyer atë, ose të paktën që mos ta kundërshtojnë.

"Mendoj se ajo duhet të përpiqet për të ndryshuar disa përshtypje negative që ka për të dhe mendoj se kjo mund të arrihet, siç u pa nga ajo që bëri Donald Trumpi gjatë zgjedhjeve paraprake të republikanëve", - i tha ai Zërit të Amerikës.

Garry South thotë se sfida për zotin Trump, është ai vetë:

“Çështja është se ai ka treguar një mungesë të plotë disipline, veçanërisht një mungesë të plotë disipline në mesazhin e tij gjatë të gjithë procesit të zgjedhjeve paraprake - a mundet ky burrë të arrijë të japë një mesazh dhe t'i qëndrojë atij, si dhe të mos e dëmtojë më veten, duke i hapur probleme jo vetëm vetes së tij, por edhe gjithë partisë? Besoj se ky është një problem që ka zoti Trump dhe që do ta shoqërojë atë deri në nëntor."

Prof. Robert Smith thotë se ai pret që Trump do të vazhdojë të bëjë atë që ka bërë gjatë zgjedhjeve paraprake, një fushatë "polarizuese dhe përçarëse":

"Unë mendoj se ai duhet të fillojë të zhvillojë një fushatë më tradicionale. E di që ai heziton ta bëjë këtë, sepse Trump ka arritur këtu ku është jo përmes një fushate tradicionale; por mendoj se konsensusi i shumicës së njerëzve është që do të arrinte fitore në zgjedhjet presidenciale, në se do të zhvillojë një fushatë më tradicionale dhe më pak spontane,"- thotë Smith.

Donald Trump po ashtu përballet me çështjen e bashkimit të partisë. Ai në fakt u bë i emëruari i partisë republikane për president më tepër se një muaj më parë, por udhëheqësit partiakë e mbështetën atë me vonesë, përfshirë Kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve Paul Ryan, i cili vetëm një javë më parë tha se do të votojë për zotin Trump. Figura të tjera të Partisë, si kandidati republikan për zgjedhjet presidenciale të vitit 2012 Mitt Romney, e kanë kundërshtuar hapur kandidaturën e zotit Trump.

Miliona njerëz votuan në zgjedhjet paraprake të shteteve të tyre, por në nëntor do të votojnë një numër më i madh njerëzish. Kjo do të thotë që kandidatët do të duhet ta zhvendosin fokusin e tyre, nga përpjekja për t'ju drejtuar anëtarëve të partisë, tek ajo për tërheqjen e një audience jo aq partiake.

“Zgjedhjet paraprake nuk janë njëlloj me zgjedhjet e përgjithshme, prandaj pritshmëria nuk mund të jetë njëlloj,"- thotë strategu i demokratëve Gerry South.

XS
SM
MD
LG