Lidhje

Ndikimi i zgjedhjeve tek ekonomia amerikane


Ndikimi i zgjedhjeve tek ekonomia amerikane
Ndikimi i zgjedhjeve tek ekonomia amerikane

Pakënaqësia e përgjithshme e amerikanëve ndaj administratës dhe Presidentit Obama solli fitore dërrmuese të kandidatëve republikanë në zgjedhjet e së martës për Kongresin. Duke filluar nga muaji janar, republikanët do të kenë nën kontroll Dhomën e Përfaqësuesve. Në anketimet e para, votuesit u shprehën se ekonomia mbizotëronte të gjitha çështjet e tjera dhe ishte shqetësimi i tyre kryesor. Shumë amerikanë shpresojnë se ndryshimi në Kongres do të ndihmojë në uljen e papunësisë dhe të borxhit të madh qeveritar.

Votuesit në Pitsburg të Pensilvanisë ashtu si kudo në Shtetet e Bashkuara u zgjuan në një peisazh të ri politik

Kandidatët republikanë i fituan si garat për senat ashtu edhe për guvernator në shtetin e Pensilvanisë, ku Maria Leaf është agjente pronash të patundshme.

"Shpresoj se optimizmi që i ka përfshirë njerëzit se ekonomia do të përmirësohet do të bëhet shpejt realitet," thotë zonja Leaf.

Ajo humbi punën në fillim të këtij viti dhe jetoi ca kohë me ndihmat e qeverisë por pastaj vendosi të provonte diçka të re dhe u bë agjente imobiliare.

Megjithëse çmimet e shtëpive në Pittsburgh nuk ranë dhe aq shumë sa në qytete e tjera, zonja Leaf thotë se tregu mund të përmirësohet shumë më tepër. Ajo shpreson se ekonomia do ta marrë veten shpejt tani që zgjedhjet kanë përfunduar.

"Jemi optimistë sepse tani shumë njerëz do të fillojnë të kërkojnë të blejnë shtëpi dhe të hyjnë përpara festave. Qëllimi ynë është t’i ndihmojmë ta realizojnë këtë,"- thotë ajo.

Ajo thotë gjithashtu se optimizmi i saj mund ta ketë jetën të shkurtër nëqoftëse republikanët nuk kanë një plan konkret për ta shpejtuar rimëkëmbjen ekonomike.

Presidenti Obama dje e pranoi se me rezultatin e votimeve, zgjedhësit i dhanë administratës një mesazh të rëndësishëm për të bashkëpunuar me republikanët lidhur me ekonominë:

Nëse republikanët kanë ide të mira për shtimin e vendeve të punës që mund të ulin papunësinë, të cilat ne nuk i kishim menduar më parë e që mund të funksionojnë, do të dëshironim të provonim disa prej tyre,” tha ai dje në një konferencë shtypi në Shtëpinë e Bardhë.

Por në Nju Jork, John Chambliss punonjës i kompanisë Ford Motor, thotë se edhe ligjvënësit nuk mund të bëjnë shumë:

"Nuk mendoj se ka ndonjë gjë që ata mund të bëjnë për të nxitur ekonominë. Kapitalizmi ka ciklet e tij të natyrshme, prandaj mendoj se do të ishte më mirë që ta linin ekonominë të zhvillohej vetë. Nëse qeveria nuk ndërhyn në ekonomi mendoj se çdo gjë do të bëhej mirë vetvetiu.”

Avokati i taksave Charles Chromow nuk është dakord:

"Unë besoj se në periudha recesioni ekonomik si kjo e tanishmja qeveria duhet të shpenzojë më shumë për të nxitur ekonominë dhe jo më pak, siç thonë republikanët. Në fakt, shumë nga problemet që lidhen me papunësinë kanë të bëjnë me faktin se qeveria nuk e stimuloi sa duhet ekonominë, e jo siç thonë republikanët."

Ndërkohë, në Pittsburgh, biznesmeni indiano-amerikan Lalit Çordia është për uljen e taksave. Sipas tij kjo do ta ndihmonte shumë biznesin e tij "Thar Technologies":

"Sa herë që ulim taksat, kjo na lejon të hedhim më shumë para në ekonomi me anë investimesh," - thotë ai.

Kompania "Thar Technologies" i përket sektorit të gjelbër, të cilin administrata Obama po e reklamon shumë si mënyrë për uljen e papunësisë.

Kjo kompani prodhon dhe eksporton pajisje që përpunojnë bio-karburante.

Por sipas zotit Çordia, biznesin e tij e ka penguar politika e paqartë energjitike dhe ligjet që vazhdojnë të debatohen në Kongres për subvencionimin e biokarbureve. Ai shpreson se republikanët dhe demokratët do të bien dakord:


"Nëse ata bien dakord për një politikë të qartë, kjo do të na lejonte edhe ne të marrim një vendim se në ç’drejtim do të shkojmë.”

Çordia shpreson që vitin tjetër të kalojë në një ndërtesë më të madhe dhe të marrë në punë më shumë njerëz.

Por ai thotë se kjo do të varet nga bashkëpunimi që do të ketë brenda Kongresit dhe nga shpejtësia e rigjallërimit ekonomik.

XS
SM
MD
LG