Lidhje

Nunes nuk tërhiqet nga hetimi i ndërhyrjes së Rusisë në zgjedhje


Kryetari i Komisionit të Zbulimit në Dhomën e Përfaqësuesve, Devin Nunes, tha se nuk ka ndërmend të tërhiqet nga hetimet që po bën komisioni rreth ndërhyrjes së Rusisë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016.

“Gjithçka këtu është politike. Njerëzit thonë shumë gjëra dhe është politikë”, u tha zoti Nunes gazetarëve, menjëherë pasi kolegu i tij demokrat Adam Schiff qarkulloi një deklaratë ku kërkohej tërheqja e zotit Nunes.

“Ky nuk është një rekomandim që e bëj me lehtësi, pasi me Kryetarin kemi bashkëpunuar për disa vjet”, shkruante zoti Schiff. Ai shtoi se do të ishte e vështirë për publikun të ruajë besimin tek hetimi, nëse “nuk do të kishte hetim dhe mbikqyrje objektive nga kryetari”.

Sipas zëdhënësit të tij, zoti Nunes u takua në hapësirat e Shtëpisë së Bardhë me një person që dispononte materiale ku tregohej se Presidenti Donald Trump ishte përfshirë në një përgjim të rastësishëm. Zëdhënësi u tha gazetarëve se zoti Nunes shkoi në Shtëpinë e Bardhë pasi donte të ishte pranë një vendndodhjeje të sigurtë, ku mund të shikonte provat e paraqitura nga personi që takoi. Më parë, zoti Nunes nuk pati treguar se ku e kishte takuar personin dhe ende nuk ka bërë të njohur identitetin e tij.

XS
SM
MD
LG