Lidhje

Fushata presidenciale dhe vota e bizneseve të vogla

  • Chris Simkins

Të dy kandidatët presidencialë e shohin rritjen e bizneseve të vogla si një mënyrë për t’i dhënë hov mëkëmbjes ekonomike

Gjatë garës presidenciale, si kandidati demokrat Barack Obama ashtu edhe ai republikan Mitt Romney, kanë theksuar rritjen e bizneseve të vogla si një mënyrë për t’i dhënë hov mëkëmbjes ekonomike në Shtetet e Bashkuara. Chris Simkins i Zërit të Amerikës, e trajton këtë temë në një prej shteteve të rëndësishme për përcaktimin e garës presidenciale, Karolinën e Veriut, ku pronarët e bizneseve janë të ndarë përsa i përket faktit se cili kandidat do të mbrojë më mirë interesat e tyre.

Larry Guinn prodhon ndarëse të çmontueshme për mure të brendshme në fabrikën e tij në Summerfield të Karolinës së Veriut. Ai është i shqetësuar për të ardhmen e tij:

“Nuk mund të punësoj më njerëz. Po shoh përherë e më tepër papunësi në këtë vend, dhe kjo nuk është e mirë për Amerikën”.

Jo larg prej këtej, avokati i imigracionit Jeremy McKinney po përgatitet për mbrojtjen e një klienti të tij. Ai mendon se vendi është në drejtimin e duhur:

“Nga këndvështrimi ynë nuk shoh ndonjë arsye që të ndryshojmë kapitenin e anijes”.

Të dy këta janë pronarë biznesesh të vogla, por kanë pikpamje të ndryshme përsa i përket politikave presidenciale dhe se cili prej kandidatëve ka planin e duhur për të rritur mirëqënien ekonomike.
Zoti Guinn është republikan dhe ai mbështet Mitt Romnin përballë presidentit Obama:

“Nëse ne nuk do të zgjedhim dikë që e njeh dhe e kupton se si vepron biznesi dhe se çfarë kërkohet që biznesi të dalë me fitim e të vazhdojë aktivitetin, nuk jam i sigurt se sa gjatë do të mund të mbijetonin bizneset e vogla”.

Jeremy McKinney, demokrat, vlerëson politikat e presidentit Obama për rimëkëmbjen aktuale ekonomike. Ai thotë se firma e tij pati vitin e saj më të keq financiar në vitin 2008, por tani gjendja është përmirësuar:

“Çdo vit kemi patur ngritje. Por ky vit ka qenë viti më i mirë në historinë e kësaj firme. Kemi parë se si presidenti, administrata dhe politikat e tij krijuan mëkëmbjne ekonomike”.

Zoti Guinn thotë se plani i kandidatit Romnit për të shkurtuar taksat e korporatave do të lejojë pronarët e bizneseve të vogla që të punësojnë më shumë punonjës. Por ai është i shqetësuar se reforma ligjore e kujdesit shëndetësor e presidentit Obama do t’i kushtojë më shumë kompanisë së tij, pasi ai nuk u ofron kujdes shëndetësor punonjësve të tij.

“Nëse unë duhet të sigurojë me kujdes shëndetësor të gjithë punonjësit që kam në bordero, do të detyrohem të përdor më shumë punonjës të përkohshëm sepse nuk mund t’a përballoj dot që të paguaj kujdes shëndetësor, e të kem edhe përfitime nga biznesi im”.

McKinney thotë se ligji për kujdesin shëndetësor, po e ndihmon biznesin e tij pasi i jep mundësinë që të përfitojë në taksa, nga pagesa që bën për kujdesin shëndetësor të punonjësve:

“Me më pak se 50 punonjës ne paguajmë shumë më tepër për kujdesin shëndetësor se punëdhënësit e mëdhenj. Kjo shpresoj të ndryshoj në vitin 2014 ndërsa ne po përpiqem që në bashkëpunim me bizneset e tjera të vogla të hyjmë në bisedime për kontratat e kujdesit shëndetësor me kompanitë e sigurimeve”.

Të dy pronarët e bizneseve të vogla, shpresojnë për kohëra më të mira, por ata thonë se gara presidenciale është një përballje e zymtë mes dy vizioneve konkurruese për gjallërimin e ekonomisë.

XS
SM
MD
LG