Lidhje

SHBA: Dita e fundit e garës presidenciale


Presidenti Barack Obama dhe rivali i tij republikan Mitt Romney po bëjnë fushatë në orët e fundit para zgjedhjeve, në shtetet e pavendosura, në një përpjekje të fundit për të tërhequr mbështetësit e tyre dhe për të krijuar epërsinë e nevojshme për të fituar.

Analistët politikë thonë se vetëm një numër i vogël shtetesh do të përcaktojë rezultatin e zgjedhjeve. Zgjedhjet këtu në Shtetet e Bashkuara nuk vendosen nga vota popullore por nga një sistem i kolegjit zgjedhor, sipas së cilit rëndësia e çdo shteti në rezultatin përfundimtar është në përputhje me numrin e popullsisë.

Presidenti Obama po mban sot tubime në Wisconsin, Ohio dhe Iowa. Zoti Romney po ashtu shkon në Ohio, si edhe në Virginia dhe New Hampshire.

Miliona vetë në gjithë vendin kanë votuar para ditës së votimeve por shumica voton nesër, në qendra votimi të ngritura nëpër shkolla, ndërtesat e zjarrfikëseve, apo kisha. Një numër sondazhesh tregojnë se gara është duke u zhvilluar tepër e ngushtë në shkallë kombëtare, por disa anketime shtetesh të veçanta tregojnë se zoti Obama udhëheq me një diferencë shumë të vogël në shtetet më të rëndësishme, që mundet të përcaktojnë rezultatin e zgjedhjeve.

Krahas me garën për postin e Presidentit, nesër zhvillohet edhe gara për të 435 vendet e Dhomës së Përfaqësuesve dhe 33 nga 100 vendet e Senatit. Në përgjithësi, analistët thonë se republikanët do të vazhdojnë të mbajnë shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve, ndërsa Partia Demokrate mund të ruajë një shumicë të vogël në Senat.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG