Lidhje

Trump arrin 50% mbështetje mes republikanëve

  • Zllatica Hoke

U.S. Republican presidential candidate Donald Trump holds up a newspaper with a headline reading "Clinton, Trump Lead" at a campaign rally in Warwick, Rhode Island, April 25, 2016.

U.S. Republican presidential candidate Donald Trump holds up a newspaper with a headline reading "Clinton, Trump Lead" at a campaign rally in Warwick, Rhode Island, April 25, 2016.

Ditën që ai pritet të fitojë në të pesë shtetet ku zhvillohen të martën zgjedhje paraprake, kryesuesi i garës republikane Donalt Trump, kapi 50 për qind të mbështetjes mes votuesve republikanë ose atyre që anojnë nga republikanët, sipas një ankete të "NBC News/Survey Monkey", (departamentit të lajmeve të rrjetit televiziv NBC dhe platformës të specializuar për anketa përmes internetit Survey Monkey).

Kjo është hera e parë që Donald Trump arrin këtë shifër që kur NBC News/Survey Monkey filluan të organizojnë anketa të përjavshme në dhjetor të vitit të kaluar.

Rivalët e zotit Trump, senatori nga Teksasi Ted Cruz dhe guvernatori i Ohios, John Kasich, kanë humbur mbështetje sipas anketës dhe ndodhen mbi 10 për qind më poshtë se zoti Trump.

Mbështetja për zotin Trump ka qënë mesatarisht në nivelin 40 për qind që nga mesi i marsit. Por ajo që është e rëndësishme në anketën e fundit është fakti se mes republikanëve mbështetja për të është shtuar me 6 përqind. Anketa u realizua përmes internetit në periudhën 18 - 24 prill dhe në të morrën pjesë 10 mijë e 707 të rritur mbi 18 vjeç, mes tyre 9405 votues të regjistruar.

Të martën votimet zhvillohen në pesë shtete – Connecticut, Delaware, Maryland, Pennsylvania dhe Rhode Island. Dy ditë para votimit, rivalët e tij Cruz dhe Kasich njoftuan se do të bashkërendonin strategjitë e tyre elektorale për të mos lejuar Trumpin të sigurornte numrirn e duhur të delegatëve.

Trump, me gjuhën tipike që e karakterizon, i quajti përpjekjet e tyre "mjerane", dhe kritikoi përsëri procesin e emërimit të partisë.

Ai e akuzon Partinë Republikane se po e trajton atë padrejtësisht dhe sistemin e emërimit si të "manipuluar".

Të djelën kandidatët Cruz dhe Kasich njoftuan për një marrëveshje: zoti Kasich nuk do të bëjë fushatë në zgjedhjet paraprake të Indianës më 3 maj dhe zoti Cruz ra dakord të mos bëjë fushatë në Oregon dhe New Mexico.

Duket se disa votuesve nuk u ka pëlqyer ky plan.

Në shtetin e Indianës, Kathy Hiel, tha se ajo nuk kishte vendosur se për kë do të votonte më 3 maj, por tani pas marrëveshjes Cruz-Kasich, ajo tha se do të votojë për Trumpin.

Trumpi shkon në zgjedhjet e së martës me 845 delegatë, i ndjekur nga Cruz me 559 dhe Kasich me 148.

Siç ka qënë rasti edhe në garat e tjera, diferenca e fitores të martën ka rëndësi, pasi sa më e thellë, aq më shumë delegatë siguron kandidati. Në se Trump nuk e kap shifrën magjike 1237 deri në fund të votimeve paraprake, rivalët Cruz dhe Kasich do të kishin një mundësi emërimi në kuvendin e partisë që zhvillohet në korrik.

Në kampin demokrat, ish sekretarja e shtetit Hillary Clinton kryeson nëpër anketa në 4 nga 5 shtetet ku zhvillohen votimet. Senatori nga Vermonti Bernie Sanders kryeson vetëm në shtetin Rhode Island.

Një dalje e mirë të martën në votime nga Hillary Clinton do ta çonte atë shumë pranë sigurimit të emërimit nga Partia Demokratike. Deri të martën ajo kishte siguruar 1944 delegatë, përfshirë qindra super-delegatë që janë zotuar ta mbështesin.

Pesë shtetet e së martës do të nxjerrin 463 delegatë dhe rreth 285 të tjerë do të përcaktohen javën e ardhshme, ç'ka do të thotë që Clinton mjafton të marrë vetëm gjysmën e tyre për të siguruar numrin e duhur prej 2383 delegatësh për emërimin.

Megjithëse matematikisht po bëhet përherë e më e vështirë për kandidatin Sanders, i cili ka vetëm 1192 delegatë deri tani, ai ka theksuar se do të qëndrojë në garë deri në fund, deri në kuvendin e partisë në korrik.

Kandidati demokrat, i vetëquajtur socialist, ka bërë fushatë mbi një platformë me premtime për paga më të larta, për të eliminuar nga politika paratë e grupeve të interesit, kundër bankave të mëdha dhe për të zgjeruar kujdesin shëndetësor. Ai ka një ndjekje të madhe mes të rinjve.

XS
SM
MD
LG