Lidhje

Gara presidenciale në Shtetet e Bashkuara


Ish sekretarja e Shtetit Hillary Clinton shpalli të martën fitoren në garën për të marrë emërimin e partisë demokrate, duke hyrë kështu në histori.

Zonja Clinton fitoi të martën në Kaliforni, Dakotën e Jugut, Nju Meksiko dhe Nju Xhërsi. Rivali i saj demokrat, senatori nga Vermonti, Bernie Sanders, fitoi në Dakotën e Veriut dhe Montana. Me votimet e djeshme u mbyllën zgjedhjet paraprake.

Fitorja e zonjës Clinton erdhi vetëm pas raundit të fundit të zgjedhjeve paraprake. Asaj iu deshën muaj të tërë për të përballuar sfidën çuditërisht të fortë nga senatori i Vermonit Bernie Sanders. Clinton e shpalli fitoren mbrëmë në një podium në Bruklin të Nju Jorkut, pikërisht tetë vjet, nga dita kur ajo pranoi humbjen si kandidate demokrate ndaj Barak Obamës. Dhe me këtë fitore ajo hyn në histori si gruaja e parë kandidate për presidente e një partie të madhe.

"Falë jush, ne arritëm një moment historik…për herë të parë në historinë e vendit tonë, një grua do të jetë kandidate e një partie për presidente të Shteteve të Bashkuara,"- tha zonja Clinton.

Clinton kishte siguruar numrin e nevojshëm të delegatëve për kandidaturën demokrate disa orë më parë me fitoren në zgjedhjet paraprake në Nju Xhersi, të parat në gjashtë garat e zhvilluara mbrëmë në mbarë vendin.

Ajo uroi gjithashtu zotin Sanders, të vet-deklaruar "demokrat socialist" platforma e fushatës të së cilit për t’i dhënë fund pabarazisë dhe për të siguruar kujdes shëndetësor universal, tërhoqi dhe frymëzoi miliona votues, veçanërisht të rinjtë amerikanë:

"Më lejoni ta them qartë – senatori Sanders, fushata e tij dhe debati energjik që kemi patur për rritjen e të ardhurave, pakësimin e pabarazisë, rritjen e mundësive, ka qënë shumë i vlefshëm për partinë demokrate dhe për Amerikën."

Megjithë arritjen historike të zonjës Clinton, senatori Sanders premtoi të vazhdojë revolucionin e tij politik gjatë një fjalimi para një mitingu në Los Anxheles:

"Do të vazhdojmë, do të vazhdojmë të luftojmë fortë, do të luftojmë për të fituar zgjedhjet paraprake në Uashington. Më tej do të vazhdojmë luftën tonë për drejtësi sociale, ekonomike, racore dhe ambjentaliste në Filadelfia të Pensilvanisë."

Me zgjedhjet paraprake që po përfundojnë, zonja Clinton pritet ta përqëndrojë vëmendjen ndaj rivalit republikan Donald Trump, biznesmeni i pasur që po kritikohet si nga demokratët ashtu edhe nga republikanët për deklaratat përçmuese ndaj minoriteteve, veçanërisht ndaj një gjykatësi federal me prejardhje nga Meksika i cili po shqyrton një çështje ligjore për një nga bizneset e zotit Trump.

Donald Trump mbrojti qëndrimin e tij në një fjalim dje në mbrëmje por pa iu drejtuar drejtpërdrejt këtij debati:

"Synimi im është gjithmonë t’i bashkojë njerëzit, por në se detyrohem të luftojë për diçka që vërtet e kam të shtrenjtë, kurrë nuk do të epem dhe vendi ynë asnjëherë nuk do të epet."

Shtëpia e Bardhë njoftoi të martën se Presidenti Obama kishte telefonuar të dy kandidatët Clinton dhe Sanders dhe e uroi zonjën Clinton për sigurimin e delegatëve të nevojshëm. Shtëpia e Bardhë njoftoi gjithashtu se, "me kërkesën e senatorit Sanders ', Presidenti dhe senatori do të takohen të enjten në Shtëpinë e Bardhë , një lëvizje nga presidenti për të dëgjuar disa nga shqetësimet politike të kandidatit, por ndoshta edhe për ta bindur atë të tërhiqet. Gara për në Shtëpinë e Bardhë kalon tani në konventat kombëtare të partive në korrik -- Clinton do të emërohet zyrtarisht në kuvendin e partisë demokrate në Filadelfia, kurse republikanët do të zgjedhin zyrtarisht Trumpin në Cleveland.

XS
SM
MD
LG