Lidhje

SHBA, përfundon fushata e zgjedhjeve paraprake


Në Shtetet e Bashkuara, dje mori fund zyrtarisht faza e zgjedhjeve paraprake presidenciale. Ish-Sekretarja e Shtetit Hillary Clinton mundi me lehtësi senatorin e Vermontit, Bernie Sanders në kryeqytetin Uashington, duke siguruar më tej pozitën e saj si kandidate e Partisë Demokrate.

Ndërkohë që numëroheshin votat, kandidatët Clinton dhe Sanders zhvilluan një takim privat në një hotel të Uashingtonit për të diskutuar mbi platformën e partisë në kuvendin e emërimit muajin e ardhshëm.

Senatori Sanders u tha gazetarëve se ai do të shprehet për një platformë të fuqishme sociale.

"Ne do të luftojmë sa të mundemi për të krijuar një parti demokrate që përfaqëson familjet punëtore dhe njerëzit me të ardhura të ulta. Ne kemi filluar të bisedojmë me ta. Janë diku mes 1,900 dhe 2,000 delegatë që do të shkojnë në Filadelfia, të cilët kërkojnë të shohin që Partia Demokrate po transformohet; ata duan të shohin që Partia Demokrate do të ngrihet përballë njerëzve të pasur e të fuqishëm dhe do të fillojë të përfaqësojë miliona njerëz që janë në vështirësi."

Të dyja fushatat bënë deklarata shumë të ngjashme pas takimit, duke thënë se kandidatët diskutuan mbi përparësitë e përbashkëta, të tilla si rritja e pagave, reformimi i ligjeve për financimin e fushatave dhe ulja e kostove të kolegjeve për t’i bërë ato të përballueshme.

Ata përmendën gjithashtu nevojën për të mposhtur zotin Donald Trump, kandidati i pritshëm republikan për president, për të cilin senatori Sanders tha se ishte "krejtësisht i papërshtatshëm" për të qenë president.

Një sondazh i ri i rrjetit NBC News tregon se zonja Clinton ka zgjeruar epërsinë në shtatë përqind më shumë se sa kandidati Trump.

Të dyja partitë do t’i mbajnë kuvendet e tyre në mes të korrikut - republikanët në Cleveland të Ohios më 18 korrik, ndërsa demokratët në Filadelfia një javë më vonë.

XS
SM
MD
LG