Lidhje

Masat e sigurisë në misionet diplomatike


Një ish diplomat amerikan paralajmëron se shtimi i masave të sigurisë mund të dëmtojë marrëdhëniet e Amerikës me vendet e tjera

Sekretarja e Shtetit Hillary Clinton ka premtuar se do të shtohen masat e sigurisë në ambasadat dhe misionet diplomatike amerikane, pasi një komision, që hetoi vrasjen e ambasadorit Christopher Stevens në Libi dhe të tre amerikanëve të tjerë kritikoi ato që i quajti "dështime sistematike".

Pas sulmit të 11 shtatorit 2012 në Bengazi të Libisë, Sekretarja e Shtetit Hillary Clinton dha urdhër për krijimin e një komisioni hetimor për shqyrtimin e fakteve.
Zv. Kryetari i komisionit, Admirali Mike Mullen, paraqiti rezultatet e hetimeve më 18 dhjetor.

“Komisioni arriti në përfundimin se masat e sigurisë në misionin amerikan ishin të pamjaftueshme për një mjedis kërcënues si ai i Bengazit dhe në fakt tepër të pamjaftueshme për të përballuar sulmin që ndodhi atë natë”.

Sekretarja Clinton pranoi të 29 rekomandimet e raportit. Senatori John Kerry, i cili është emëruar si pasardhës i zonjës Clinton, vlerësoi vendimet e saj gjatë një seance të Kongresit.

“Në fakt, ajo i ka kapërcyer rekomandimet e bordit, duke ndërmarrë hapa të menjëhershëm për të shtuar sigurinë në misionet me kërcënim të lartë dhe i ka kërkuar Kongresit autoritetin që të riprogramojë fondet për të shtuar shpenzimet e sigurisë diplomatike me 1.3 miliardë dollarë”.

Ambasadat amerikane nuk tërheqin vetëm protesta si kjo në Bankok në vitin 2011, por edhe sulme terroriste.

Daniel Serwer, i cili ka punuar në misione diplomatike, përfshirë atë në Bagdad, është tani profesor në Fakultetin e Studimeve të Avancuara Ndërkombëtare në Universitetin Johns Hopkins. Ai thotë se ambasadat që duken si kështjella shpesh bëhen simbole zemërimi dhe pakënaqësie.

“Mendoj se diplomacia nuk mund të realizohet pas mureve 7 metra të lartë”.

Zoti Serwer e pranon se Ambasadori Stevens kishte arsye të forta që qëndronte brënda kompleksit në Bengazi.

“Po të flasim vetëm rreth rrezikut ndaj tij, ai do të ishte shumë më i sigurtë në rrugët e Bengazit, ku 99 për qind e libianëve do ta prisnin atë me krahë hapur, se sa në misionin diplomatik, që konsiderohej si i sigurtë”.

Por edhe vetë profesori Serwer e pranon se argumenti i tij është vështirë të bëhet pas vrasjes së ambasadorit. Dhe tani që administrata Obama ka kaluar në pozita mbrojtëse pas sulmit në Bengazi, ambasadat amerikane ka shumë të ngjarë të vazhdojnë të jenë struktura si kështjella.


XS
SM
MD
LG