Lidhje

Amerikanët të lehtësuar pas kompromisit fiskal


Edhe tregjet reaguan pozitivisht nga fakti që Kongresi arriti të shmangte një seri masash që mund ta kishin zhytur vendin përsëri në recession.

Pas një dite dramatike plot të papritura, Dhoma e Përfaqësuesve e Kongresit amerikan miratoi kompromisin e arritur në Senat për të shmangur të ashtuquajturën greminë fiskale – një rritje të madhe taksash dhe një sërë shkurtimesh buxhetore në shkallë të gjerë. Presidenti Obama tha se do ta nënshkruajë projektligjin. Dje, fillimisht kompromisi u vu në dyshim, sepse republikanët në Dhomën e Përfaqësuesve dolën me kërkesa për shkurtime akoma më të mëdha të buxhetit.

"Në sajë të votave të demokratëve dhe republikanëve, unë do të nënshkruaj ligjin, i cili rrit taksat për 2 përqind të amerikanëve më të pasur duke shmangur rritjen e taksave për klasën e mesme, çka do ta kishte zhytur ekonominë përsëri në recession."

Presidenti Obama e deklaroi shmangien e greminës fiskale disa orë pas ardhjes së nënpresidentit Biden në Kongres për të nxitur ligjvënësit që të votonin në favor të projektligjit.

Zoti Biden bëri një takim privat me ligjvënësit demokratë. Pas kësaj, udhëheqësit demokratë në Kongres deklaruan se do ta mbështesnin kompromisin e arritur në Senat dhe i bënë thirrje kryetarit republikan të Dhomës së Përfaqësuesve që të zhvillonte një votim ku ligjvënësit të shpreheshin me “po ose jo” për projektligjin.

Udhëheqësja e pakicës demokrate të Dhomës, Nancy Pelosi tha:

"Kryetari i Dhomës ka premtuar se do ta zhvillojë votimin nëse Senati arrin kompromisin. Ne shpresojmë që ai të veprojë kështu, sepse populli amerikan e meriton këtë."

Dje, herët në mëngjes, Senati miratoi një kompromis të arritur mes republikanëve dhe nënpresidentit.
Kompromisi mbron 98 përqind të amerikanëve nga një rritje taksash. Taksat do të rriten vetëm për amerikanët me të ardhura prej më shumë se 450 mijë dollarë në vit për familje. Ai parashikon gjithashtu zgjatjen edhe për një një vit të përfitimeve për një kategori të caktuar të papunësh.

Por kompromisi flet pak për shkurtimet qeveritare të kërkuara nga republikanët. Ai thjesht e shtyn për dy muaj hyrjen në fuqi automatikisht të shkurtimeve buxhetore. Prandaj, kur kryetari i Dhomës, John Boehner u takua me kolegët e tij republikanë, ai u përball me një rezistencë të ashpër ndaj kompromisit të arritur në Senat. Ja si u shpreh ligjvënësi Jack Kingston i shtetit Georgia:

"Shkurtimet e shpenzimeve janë shumë, shumë të rëndësishme dhe ne jemi tepër të zhgënjyer që Senati nuk u mor me këtë çështje."

John Fleming, ligjvënës republikan:
"Problemi është se po shkojmë në drejtim të gabuar. Të gjithë e dimë se nuk mund të vazhdojmë të shpenzojmë në mënyrë të papërgjegjshme."

Prandaj, kur Dhoma e Përfaqësuesve u mblodh në orët e mbrëmjes gjithçka dukej se ishte në prag të dështimit, pasi disa republikanë propozuan që kompromisit t’i bëheshin ndryshime, duke i shtuar klauzola për shkurtim shpenzimesh. Më në fund, një numër i mjaftueshëm republikanësh në Dhomën e Përfaqësuesve iu bashkuan demokratëve dhe projektligji u miratua megjithë kundërshtimet e ligjëvënësve më konservatorë:

"Republikanët dhe populli amerikan po fitojnë diçka mjaft të rëndësishme, një ulje të përhershme taksash."


Demokratët thanë se kjo ishte një ditë uniteti, edhe pse një ditë e vetme:

"Në analizë të fundit, ne kemi aftësinë për t’u bashkuar, për të vepruar jo si republikanë, as si demokratë por si amerikanë."

Shumë amerikanë, si dhe tregjet financiare u ndjenë të lehtësuar për faktin që Kongresi ishte në gjendje, edhe pse në minutën e fundit, të shmangte një seri masash që mund ta kishin zhytur vendin përsëri në recession.

XS
SM
MD
LG