Lidhje

Ridislokimi i forcave amerikane në Azi

  • William Ide

Çdo vit, SHBA dhe Tailanda organizojnë manovrat e koduara "Kobrat e Arta", me pjesëmarrjen e ushtrive nga i gjithë rajoni.

Ndërsa Shtetet e Bashkuara intensifikojnë përpjekjet për të shtuar numrin e aleatëve ushtarakë në Azi, Uashingtoni po nxjerr më shumë hollësi rreth planeve për të ridislokuar forcat në rajon dhe për të përforcuar lidhjet me vendet aleate. Analistët thonë se përpjekjet e ribalancimit, siç quhen nga Pentagoni, do të jenë edhe një veprim balancimi. William Ide i Zërit të Amerikës njofton nga Uashingtoni se ndërsa disa njerëz mirëpresin vendimin për të shtuar vemendjen në Azi, ky vendim ka shkaktuar shqetësime në rritje nga disa vende të tjera, përfshirë Kinën, një prej fuqive ushtarake në rritje të rajonit.

Çdo vit, Shtetet e Bashkuara dhe Tailanda organizojnë manovrat e koduara ‘Kobrat e Arta’, më shumë se një javë operacione të ndryshme me pjesëmarrjen e ushtrive nga i gjithë rajoni.

Këto manovra nuk janë të reja, por si një prej manovrave më të mëdha shumëkombëshe në botë, ato e vënë theksin tek përpjekjet e vazhdueshme amerikane për të ribalancuar praninë në Azi.
Abraham Denmark është analist i sigurisë në Zyrën Kombëtare të Kërkimeve Aziatike.

“Ribalancimi ka të bëjë me njohjen e faktit se pjesa më e madhe e historisë që do të shkruhet rreth shekullit të 21 do të bazohet në rajonin e Azi-Paqësorit. Dhe me që ne jemi fuqi e Paqësorit, duam të sigurohemi se kemi aftësitë për të ridislokuar forcat tona dhe për të ruajtur ndikimin tonë në rajon”.

Muajin e kaluar, Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Leon Panetta bëri një vizitë historike në Vietnam, gjatë së cilës ndaloi edhe në Gjirin Cam Ranh, pikë kryesore logjistike gjatë luftës së Vietnamit. Ai njoftoi planet për transferimin e 60 për qind të forcave të marinës amerikane në rajonin e Paqësorit deri në vitin 2020.

"Ne kemi nevojë të ndërtojmë marrëdhënie më të forta në fushën e mbrojtjes me vende si Vietnami dhe vende të tjera, në mënyrë që t’I ndihmojmë ato në trejnim, asistencë dhe në fusha të tjera për të përmirësuar aftësitë e tyre”.

Edhe Filipinet kanë kërkuar gjithnjë e më shumë ndihmë nga Uashingtoni. Në Tailandë, zyrtarët amerikanë dhe ata tailandezë po diskutojnë rreth përdorimit të bazës ajrore Utapao si një qendër e përhershme për ndihma humanitare dhe në raste katastrofash.

Megjithatë, angazhimi në rritje i Shteteve të Bashkuara në Azinë juglindore përballet me shumë sfida dhe analisti Denmark thotë se ky angazhim nuk mund të jetë si në të kaluarën.

“Prania amerikane nuk do të jetë si gjatë luftës së ftohtë, apo gjatë luftës së Vietnamit, por një prani e re më e vogël, më e manovrueshme, politikisht e përballueshme për partnerët dhe aleatët tanë”.

Kur presidenti i Filipineve, Benigno Aquino vizitoi Uashingtonin muajin e kaluar për bisedime rreth shtimit të mbështetjes amerikane, një protestë shpërtheu para ambasadës amerikane në Manila. Demonstruesit shprehën shqetësim rreth planeve për shtimin e manovrave të përbashkëta ushtarake dhe pranisë së trupave amerikane në Filipine.

Kina i quan ndryshimet e politikës amerikane në Azi dhe përpjekjet e Uashingtonit për të forcuar aleancat ushtarake si “të parakohshme”. Madje Pekini u ka kërkuar Shteteve të Bashkuara që të respektojnë interesat e tij në rajon.
Wu Shicun është president i Institutit Kombëtar për Studimet e Detit të Kinës Jugore.

“Për mendimin tim, një prej qëllimeve të ndryshimit të politikës amerikane në rajonin e Azi Paqësorit është parandalimi i ndikimit në rritje të Kinës”.

Ndërkohë, në manovrat Kobrat e Arta, Kina dhe Vietnami kanë statusin e vëzhguesit dhe ashtu si në rastin e ndryshimit të përparësive ndaj Azisë, zyrtarë ushtarakë amerikanë thonë se këto manovra nuk kanë në objektiv ndonjë vend specifik.
XS
SM
MD
LG