Lidhje

Sekretari Kerry në Paris


Sekretari amerikan John Kerry po qëndron në Paris për të mbështetur Francën pas ngjarjeve të javës së kaluar

Sekretari amerikan i shtetit. John Kerry vuri kurora lulesh në dy vendet ku pati sulme të ekstremistëve islamik në Paris javën e kaluar, në një vizitë që shefi i diplomacisë amerikane po i bën Francës për të dëshmuar mbështetjen e Shteteve të Bashkuara pas tragjedisë që la pas vetes 17 të vrarë.

Sekretari Kerry dhe Ministri i jashtëm francez, Laurent Fabius vizituan fillimisht supermarketin në Parisin lindor, ku katër persona u vranë në një pengmarrje të premten e kaluar. Më pas ata vizituan selinë e revistës Charlie Hebdo, ku 12 veta u vranë gjatë të shtënave të së mërkurës së kaluar.

Më herët gjatë ditës. Sekretari u përqafua me presidentin francez Francois Hollande, para pallatit Elize, ku ata zhvilluan bisedime.

Sekretari Kerry i shprehu presidentit Hollande, “ngushëllimet e thella të të gjithë qytetarëve amerikan, të cilët ndajnë dhimbjen dhe bashkëndjejnë tmerrin nëpër të cilin ka kaluar populli francez”.

Sekretari Kerry, i cili u takua fillimisht me ministrin e jashtëm Fabius, i tha atij se nuk kishte pasur mundësi të merrte pjesë në marshimin e së dielës në Paris për shkak të udhëtimeve të tij në Indi dhe Bullgar.

“Është mirë të jem me ju dhe kemi shumë për të diskutuar”, i tha ai ministrit Fabius.

Administrata e presidentit Obama e pranoi se kishte bërë gabim që nuk kishte dërguar asnjë zyrtar të lartë në marshimin kundër terrorizmit të dielën në Paris, ku morën pjesë shumë udhëheqës botëror. Zyrtarët francez thanë se marshimi ishte demonstrimit më i madh në rrugë në historinë e vendit.

Në një zhvillim tjetër të premten policia e Parisit tha se ka arrestuar të paktën 10 persona nën dyshimet për lidhje me sulmuesit e javës së kaluar.

Autoritetet janë vënë në gjendje të lartë gatishmërie për shkak të mundësisë së sulmeve të tjera. Agjencia e lajmeve Associated Press, raporton se stacioni i trenit Gare de l'Est në Paris është mbyllur dhe evakuuar për shkak të një kërcënimi me bombë, ndonëse zyrtarët thonë se ky veprim ishte një “masë parandaluese”, por nuk janë dhënë hollësi të tjera.

XS
SM
MD
LG