Lidhje

Ligji për Ujë të Pastër, barrë ekonomike

  • Rosanne Skirble

Ligj për Ujë të Pastër ka vendosur kufizime të ashpëra ndaj ndotjes së ujërave në Shtetet e Bashkuara.

Këtë vit është 40 vjetori i miratimit të ligjit për Ujë të Pastër. Ky ligj i rëndësishëm ka vendosur kufizime të ashpëra ndaj ndotjes së ujërave në Shtetet e Bashkuara nga ujërat e zeza dhe mbetjet industriale. Ligji ka kontribuuar në mbrojtjen e shëndetit publik dhe mbrojtjen e mjedisit. Por 40 vite më vonë, shumë komunitete në krizë ekonomike po përballen me vështirësi në zbatimin e standarteve të larta të këtij ligji, për të cilat disa analistë besojnë se sjellin përfitime të pakëta për mjedisin.

George Hawkins është menaxher i Përgjithshëm i Ujërave të Uashingtonit. Një nga përgjegjësitë e tij është të garantojë që procesi i përpunimit të ujërave të zeza nuk ndot lumin, i cili shërben për të furnizuar me ujë të pishëm mbi 2 milionë njerëz. Por ai përballet me një
infrastrukturë të vjetëruar.

“Në fakt, ne kemi nevojë për më shumë të ardhura nga shërbimet që paguajnë konsumatorët tanë për të rindërtuar infrastrukturën”.

Ka të ngjarë që në vitet e ardhshme të ketë rritje dyshifrore çmimesh për këto shërbime. Kohët e fundit, gjatë një dëshmie që dha para ligjvënësve në Kongres, zoti Hawkins tha se rregullat e reja që dalin nga Ligji për Pastërtinë e Ujit janë me kosto të lartë dhe depozitat ujore nuk përfitojnë shumë nga këto rregulla.

“Ne shpenzojmë rreth një miliardë dollarë për mbrojtjen e dhjetë për qind të depozitave ujore që në të kaluarën i kemi mbrojtur me 100 milionë dollarë. Dhe duket se kostoja do rritet edhe më tej”.
Në seancën e njejtë dëgjimore, kryetari i bashkisë së qytetit Lima në Ohajo, David Berger tha se qyteti i tij nuk i ka fonde të mjaftueshme për të zbatuar rregullat e reja. Gjatë një shkëmbimi me ligjëvënësin republikan Bob Gibbs, zoti Berger kërkoi ndihmë nga Kongresi.

“Nëse Kongresi i miraton këto rregulla dhe na detyron t’i zbatojmë ato, atëherë ju duhet të na ndihmoni të mbulojmë koston. Nëse mungojnë fondet dhe mungon vullneti politik, atëherë ne do të kemi nevojë për një ndihmë të shpejtë”.

Një projekt-ligj i propozuar nga ligjvënësi demokrat Tim Bishop për zgjerimin e asistencës federale për projektet për ujë të pastër tani ka ngecur. Zoti Bishop është ankuar se Kongresi ka pakësuar shpenzimet për projektet për ujin nga 4.7 miliardë dollarë në vitin 2009 në vetëm 690 milionë dollarë në vitin 2012.

“Ne jemi duke shkuar në drejtim të gabuar. Po e përkeqësojmë një problem që ju në terren po përpiqeni ta zgjidhni”.

Jo shumë larg nga impianti i Përpunimit të Ujërave të Zeza “Blue Plains”, zoti Hawkins thotë se një mënyrë për zgjidhjen e këtij problemi është përpunimi i mbetjeve. Më 2014 impianti “Blue Plains” do të nxjerrë gaz metani nga mbetjet e ujërave të zeza, në sasi të mjaftueshme për të ulur koston e lartë të faturave të energjisë. Me ndihmën e një procesi tjetër mbetjet do të ziehen me elementë tjerë për të krijuar dhé cilësor që mund t’u shitet fermerëve dhe kopshtarëve për tokat bujqësore.

Zoti Hawkins thotë se ai dhe menaxherë të tjerë të ujërave do të vazhdojnë të ushtrojnë trysni ndaj kongresit për të marrë më shumë fonde për zbatimin e ligjit për Ujë të Pastër. Ndërkohë, ai po u bën thirrje menaxherëve të përpunimit të ujërave që ata të gjejnë mënyra për ta shndërruar përpunimin e ujërave të zeza në një industri që krijon të ardhura.
XS
SM
MD
LG