Lidhje

I burgosuri nga Guantanamo transferohet në Mal të Zi


Ushtria amerikane tha se ka transferuar një jemenas nga burgu i Gjirit të Guantanamos për në Mal të Zi.

Transferimi i Abdel Malik Ahmed Abdel Wahab Al Rahabi, lë në burgun e Guantanamos edhe 79 veta, nga rreth 800 syresh sa kanë qëndruar aty që nga fillimi i vitit 2002.

Dokumentet e Pentagonit e përshkruajnë Al Rahabin si anëtar të al-Qaidas, dikur truprojë e udhëheqësit të grupit, Osama bin Laden dhe kishte marrë pjesë në luftimet kundër forcave amerikane. Ai ishte kapur në dhjetor të vitit 2001 nga forcat pakistaneze derisa po përpiqej të kalonte kufirin nga Afganistani, ndërsa u dërgua në Guantanamo një muaj më vonë.

Një këshill vlerësues kishte përcaktuar në vitin 2014 se mbajtja në burg e Al Rahabit nuk ishte më e nevojshme dhe kishte propozuar transferimin e tij.

Pentagoni falënderoi nëpërmjet një deklarate Malin e Zi "për gjestin humanitar dhe vullnetin për të mbështetur përpjekjet e Shteteve të Bashkuara për të mbyllur burgun në Guantanamo".

Presidenti Barack Obama, e kishte shpallur synimin për të mbyllur burgun në vitin 2009 kur mori postin, por, tash kur kanë mbetur edhe shtatë muaj deri në përmbylljen e tij, kjo duket ende e pamundur.

XS
SM
MD
LG