Lidhje

SHBA: Rekomandimet për kontrollin e armëve


Nesër nënpresidenti amerikan Joe Biden pritet të njoftojë rekomandimet për parandalimin e dhunës së armëve të zjarrit në Amerikë, të cilat shkaktojnë mijëra të vdekur çdo vit. Rekomandimet bëhen një muaj pas incidentit të rëndë vdekjeprurës në shkollën fillore Sandy Hook në Njutaund të shtetit Konektikat, i cili ringjalli një debat të ashpër lidhur me kontrollin e këtyre armëve.

Të shtënat shpërthyen më 14 dhjetor në shkollën fillore Sandy Hook, ku një 20 vjeçar i armatosur rëndë vrau 20 fëmijë të moshës 6 dhe 7 vjeçare dhe disa mësues të shkollës, ndërkohë që të gjithë vendin e pushtoi dhimbja dhe tmerri. Pas disa ditësh, Presidenti Barack Obama bëri thirrje për veprim.

“Ne nuk mund ta tolerojmë më këtë gjendje. Tragjedi të tilla duhet të marrin fund dhe që ato të marrin fund, ne duhet të bëjmë ndryshime”.

Ndërsa viktimat varroseshin dhe vendi ishte ende i përfshirë nga dhimbja e thellë, zoti Obama emëroi nënpresidentin Joe Biden në krye të një ekipi pune për të shqyrtuar rekomandime të mundshme për parandalimin e dhunës nga armët e zjarrit.

“Nëse masat tona rezultojnë në shpëtimin e një jete të vetme, ato ia vlejnë të ndërmerren”.

Nënpresidenti Biden është takuar me palë të ndryshme dhe të kundërta të debatit mbi kontrollin e armëve të zjarrit, mes tyre edhe mbrojtësit e të drejtave të armëmbajtjes. Shoqata Kombëtare e Armëve jo vetëm që nuk e do kufizimin e armëmbajtjes, por bën thirrje për një prani më të madhe të armëve në shkollat e Amerikës. Ja si u shpreh

“E vetmja gjë që ndalon një person të keq me armë, është një person i mirë me armë”, tha kreu i kësaj shoqate, Wayne LaPierre.

Të tjerë thonë se mund të ndërmerren masa që shumica e armëve vdekjeprurëse të mos bien në duart e keqbërësve, pa cënuar të drejtën kushtetore të amerikanëve për të mbajtur armë:

“Shoqata Kombëtare e Armëve e di se ekzistojnë zgjidhje për këtë problem, pa cënuar të drejtën e armëmbajtjes të qytetarëve, që respektojnë ligjin”, thotë
Dan Gross i shoqatës Brady kundër Dhunës nga Armët.


Rekomandimet e nënpresidentit Biden mund të përfshijnë ndalimin e armëve të zjarrit si dhe armët me mbushje të shumta, shtimin e regullave për shitjen e armëve dhe përmirësimin e shërbimeve të shëndetit mendor në Shtetet e Bashkuara.
Shitësit e armëve njoftojnë për shtimin e blerjes së armëve nga pronarët e këtyre armëve, të cilët kanë frikë se së shpejti mund të miratohen ligje më të repta.
Zgjidhjet për parandalimin e dhunës së armëve të zjarrit, të hartuara në Uashington nuk do të kenë ndikim, thotë analisti Trevor Burrus.

“Më shqetëson më së tepërmi miratimi i një ligji kozmetik. Ekziston një prirje e madhe në situata të tilla për të bërë diçka si për shembull ndalimi i armëve të zjarrit dhe bëhen deiklarata se ‘bëmë diçka, le ta lavdërojmë veten dhe të vazhdojmë punën’ edhe nëse një ligj i tillë nuk e zgjidh problemin”.

Por mobilizimi pas masakrës në shkollën Sandy Hook shtrihet matanë kryeqytetit amerikan. Disa shtete, si Nju Jorku, po shqyrtojnë miratimin e ligjeve të repta për kontrollin e armëve:

“Është fare e thjeshtë. Askush nuk del për gjueti me armë zjarri. Askush nuk ka nevojë për një të shkrehur me 10 plumba për të vrarë një dre. Ndërkohë shumë njerëz të pafajshëm kanë vdekur tashmë dhe kësaj çmëndurie duhet t’i japim fund menjëherë”, thotë guvernatori i Nju Jorkut Andrew Cuomo.

Vrasjet në shkollën Sandy Hook tronditën një vend që ka dëgjuar për një kohë të gjatë pasojat e dhunës së armëve të zjarrit. Rekomandimet e nënpresidentit Biden vijnë në një kohë kur zemërimi lidhur me këtë incident është ende i madh. Por shqyrtimi i këtyre rekomandimeve nga Kongresi ka të ngjarë të bëhet pas disa muajsh, kur urgjenca e masakrës në Konektikat mund të jetë venitur.



XS
SM
MD
LG