Lidhje

Sigurimet e kujdesit shëndetësor për amerikanët


Një agjenci qeveritare jo-partiake, parashikon se si rezultat i projektligjit republikan për kujdesin shëndetësor miliona amerikanë mund të humbasin sigurimin shëndetësor gjatë 10 vjetëve të ardhshëm.

Zyra e Buxhetit e Kongresit do të publikojë të mërkurën vlerësimin e saj për projektligjin e miratuar nga Dhoma e Përfaqësuesve, duke i ofruar kështu publikut një parashikim mbi ndikimin që mendohet se do të ketë projektligji në fjalë mbi kujdesin shëndetësor, koston dhe buxhetin kombëtar.

Projektligji i miratuar në fillim të muajit me 217 vota pro dhe 213 kundër, është përpjekja e fundit për të shfuqizuar ligjin për kujdesin shëndetësor të njohur si Obamacare të miratuar nga presidenti i mëparshëm, Barak Obama. Zëvendësimi i tij ishte prioritet i zotit Donald Trump gjatë fushatës presidenciale dhe e ligjvënësve republikanë që nga hyrja e ligjit në fuqi në vitin 2010.

Zyra e Buxhetit të Kongresit publikoi dy raporte për variantet e mëparshme republikane në muajin mars. Që të dy raportet dolën në përfundimin se varianti republikan do të shtonte numrin e amerikanëve pa kujdes shëndetësor me rreth 24 milion gjatë një periudhe 10 vjeçare.

Raportet po ashtu parashikuan se varianti i ri do të rriste koston e siguracionit shëndetësor me rreth 15 deri 20 për qind në dy vitet e para, por do ta ulte me 10 për qind koston nga ajo që do të ishte në vitin 2026.

Këto parashikime bënë që disa republikanë koservatorë dhe të moderuar të mos e mbështesnin projektligjin dhe të hartonin një variant tjetër, i cili arriti të miratohej në Dhomën e Përfaqësuesve.

Në bazë të dispozitave të reja, shtetet mund t’i lejojnë kompanitë e sigurimeve shëndetësore që të rrisin çmimet për një kategori individësh me probleme shëndetësore në të kaluarën. Shtetet po ashtu do të kishin të drejtë të lejojnë kompanitë e sigurimeve që të rrisnin çmimet për të moshuarit.

Ligjvënësit demokratë kanë ngritur zërin kundër ndryshimeve, duke thënë se dispozitat janë hartuar për të viktimizuar njerëzit me probleme serioze shëndetësore që kanë nevojë për kujdes shëndetësor të kushtueshëm.

Pjesa dërmuese e njerëzve që do të humbisnin siguracionin shëndetësor do të përfitonin nga programi Medicaid, programi shëndetësor federal për të varfërit dhe njerëzit me aftësi të kufizuara. Raporti i fundit nga Zyra e Kongresit për Buxhetin përllogarit se projektligji i Dhomës së Përfaqësuesve do të shkurtonte programin Medicaid me afro 840 miliardë gjatë 10 viteve të ardhëshme.

Drejtori i Zyrës për Menaxhimin dhe Buxhetin në Shtëpinë e Bardhë, Mick Mulvaney u tha anëtarëve të Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për Buxhetin se republikanët kanë dhembshuri ndaj njerëzve të varfërve, por vendimet e tyre buxhetore bazohen në pragmatizëm.

“Ne e shikojmë nga një perspektivë tjetër, që është balanca: Ata që përfitojnë dhe ata që paguajnë për përfitimet”, tha zoti Mulvaney.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG