Lidhje

Regjistrimet për kujdesin shëndetësor


Debati rreth ligjit të ri të sistemit të kujdesit shëndetësor dhe problemeve me të cilat është përballur vazhdon. Por Shtëpia e Bardhë thotë se përmirësimet në faqen e internetit të programit kanë rritur ndjeshëm numrin e regjistrimeve. Në disa vende, këshilltarë të trajnuar po ndihmojnë njerëzit të përdorin faqen e internetit si dhe të kuptojnë se si funksionon sistemi i ri i sigurimeve shëndetësore.

Shumica e amerikanëve përfitojnë sigurim shëndetësor përmes punës së tyre. Por, pavarësisht se është e punësuar, Marcela Gonzalez nuk ka sigurim shëndetësor. Ajo po kërkon ndihmë në një klinikë të Hjustonit, pjesë e një organizate jo-fitimprurëse.
Faqja e internetit e ligjit të ri të kujdesit shëndetësor ka patur shumë probleme që nga fillimi i saj në tetor dhe zonja Gonzalez nuk ishte në gjendje të regjistrohej në ndonjë plan sigurimi herën e parë që tentoi.

"Sistemi ishte shumë i ngadaltë dhe ne patëm një takim tjetër. Unë erdha sërish dhe ne u morëm me të, por sistemi kishte të njëjtin problem përsëri."

Por këmbëngulja në fund rezultoi e dobishme.

"Në takimin tonë të tretë, mbaruam punë me gjithçka. Arritëm të hynim në sistem dhe unë u regjistrova."

Irma Pettway, e cila ka ndihmuar zonjën Gonzalez gjatë aplikimit të saj, thotë se aplikuesit gjithashtu kanë nevojë për ndihmë për të kuptuar fjalë të ndryshme të zhargonit të sigurimeve.

"Ndërkohë që kryejmë aplikimin, jemi vazhdimisht duke i mësuar atyre gjëra gjatë çdo hapi të procesit."

Kjo është diçka e nevojshme sepse shumë njerëz të varfër që klinikat ndihmojnë nuk kanë pasur asnjëherë sigurim shëndetësor, thotë drejtoresha e marketingut e organizatës, Marisa Ponti.

"Harris County, në qytetin e Hjustonit, është rajoni me më shumë persona të pasiguruar në të gjithë Shtetet e Bashkuara. Kështu që për ne, çdo program që do të rriste qasjen në kujdesin shëndetësor është i mirëpritur."

Por republikanët e opozitës thonë se programi po bën që kompani të sigurimeve të përjashtojnë mijëra njerëz nga planet e tyre aktuale dhe se do të rezultojë shumë i shtrenjtë.

Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve John Boehner thotë se programi i ri duhet të anulohet.

"Ligji i kujdesit shëndetësor i Presidentit vazhdon të dëmtojë familjet amerikane, bizneset e vogla dhe ekonominë tonë dhe nuk bëhet fjalë vetëm për faqen e internetit. Ky ligj është i gabuar tërësisht."
Marisa Ponti thotë se ligjit të ri, pavarësisht problemeve të shfaqura, duhet t'i jepet një shans.

"Duhet kohë që njerëzit të përvetësojnë gjithë këtë informacion dhe unë mendoj se problemet do të rregullohen ndërsa ne vazhdojmë të punojmë dhe mësojmë së bashku. Pra, duhet të jemi të durueshëm."

Por ligji i kujdesit shëndetësor mund të përballet me një sfidë edhe më të madhe nëse nuk regjistrohen të rinj e njerëz të shëndetshëm mjaftueshëm për të kompensuar koston e sigurimit për të varfrit dhe të sëmurët kronikë.

Një sondazh i publikuar nga Instituti i Harvardit për Politikat tregon se 57 për qind e amerikanëve mes moshës 18 dhe 29 vjeçare nuk janë dakord me ligjin. Megjithatë, Presidenti Obama mbetet i bindur se numri i të rinjve të regjistruar do të jetë i lartë përpara afatit në fund të muajit mars, vitin e ardhshëm.
XS
SM
MD
LG