Lidhje

Rritet numri i arrestimeve të imigrantëve të paligjshëm në SHBA


Administrata aktuale po zhbën gradualisht një politikë të presidentit Obama, e cila e vinte theksin tek arrestimi dhe dëbimi i imigrantëve me histori kriminale në vend të atyre që nuk kanë kryer vepra penale. Nën administratën aktuale kanë filluar të vërehen efektet e politikës së re me një rritje të ndjeshme të arrestimeve edhe nga radhët e imigrantëve të paligjshëm pa të kaluar kriminale.

Numri i njerëzve të dokumentuar ose të dyshuar si imigrantë të paligjshëm në Shtetet e Bashkuara, të cilët u arrestuan nën akuzat për shkelje të ligjeve të imigracionit u rrit në 41.318 në tre muajt e parë të administratës së Presidentit Donald Trump, krahasuar me 30.028 gjatë së njëjtës periudhë të vitit 2016.

Arrestimet e personave pa histori kriminale nga radhët e imigrantëve që ndodhen në Shtetet e Bashkuara pa dokumente të rregullta u rrit 150 për qind nga dita e parë e mandatit të Presidentit Trump deri në fund të muajit prill.

"Ne jemi në gjendje të arrestojmë më shumë njerëz nëse duam dhe po përpiqemi të arrestojmë sa më shumë imigrantë të paligjshëm, por fokusi ynë është arrestimi i kriminelëve", thotë David Marin, zyrtar i çështjeve të imigracionit.

"Nuk është e vërtetë se Agjencia e Zbatimit të Ligjeve të Imigracionit ka vënë në shënjestër vetëm kriminelët. Ata kanë vënë në shënjestër çdo person, përfshirë ata pa histori kriminale. Nëse unë kam bërë një gabim, duke ngarë makinën i pirë 20 vjet më parë, a është e drejtë që unë tani të quhem kriminel? Unë nuk mendoj se kjo është e drejtë", thotë Francisco Moreno i Federatës së Meksikanëve në Amerikë.

Ndryshimi në zbatimin e ligjeve të imigracionit ishte pjesë e urdhrit të parë ekzekutiv të nënshkruar nga Presidenti Trump pasi ai mori detyrën në janar.

Gjatë gjithë fushatës së tij dhe në fillim të mandatit të tij si president, Trump i ka lidhur rregullisht imigrantët me kriminalitetin, pavarësisht se të dhënat provojnë të kundërtën, dhe vazhdimisht ka bërë thirrje për rritjen e numrit të deportimeve.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG