Lidhje

Vullnetarët ndihmojnë imigrantët e paligjshëm


Rreth 34 mijë imigrantë pa dokumenta po mbahen në qendrat e ndalimit në gjithë Shtetet e Bashkuara. Shumë prej tyre kanë lënë pas dhunën në Amerikën Qendrore dhe kanë anëtarë të familjes këtu, e megjithatë përballen me deportimin. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Jerome Socolovsky vizitoi një nga qendrat më të mëdha ku kritikët që duan mbylljen e saj po përpiqen të ndihmojnë të ndaluarit brenda saj.

Vullnetarja Beatriz Henao përpiqet që të qetësojë një të ndaluar salvadorian, duke i thënë se Zoti nuk vonon kurrë.

Nilson Flores u kap në kufi në maj dhe u soll në Qendrën e Ndalimit Stewart në Georgia, ku mbahen të ndaluarit meshkuj. Shumica dërgohen në vendin e tyre, pavarësisht nga kushtet që janë atje.

“Ky vend duhet të quhet burgu ku vriten ëndrrat”.

Henao është vullnetar me El Refugio, “Refugjati”.

Kjo organizatë fetare vepron nga një shtëpi në Lumpkin të shtetit Georgia.

Marilyn McGinnis organizo n vizitat në qendër.

“Nuk është aq e frikshme sa ka qenë, por unë mundohem të kujtoj që për njerëzit e rinj, është një vend që ngjall frikë”.

Zonja McGinnis thotë se vullnetarët sjellin çanta plot me veshje të dhuruara kur thërrasin të ndaluarit.

“Shumë nga burrat janë shumë të vetmuar, ndjehen të izoluar, janë të frikësuar dhe thjesht një kontakt njerëzor, pak më shumë kujdes nga një person që vjen për të kaluar kohë me ta, përbën një ndryshim të madh për ta”.

Qeveria amerikane thotë se ndalimi ka si synim që të garantojë pjesëmarrjen e këtyre personave në seancën e deportimit.

Qendra menaxhohet nga një kompani private që merret edhe me mbarëvajtjen e burgjeve. Autoritetet e imigracionit thonë se kjo kursen paratë e taksapaguesve. Por zonja McGinnis thotë se kjo është e gabuar.

“Kur fitimet e tua sigurohen nga kapja dhe burgosja e njerëzve dhe kur ky fitim është më i madh kur ul koston për kujdesin e tyre, mendoj se kjo është e turpshme”.

Vullnetarët që vijnë për të ndihmuar të ndaluarit përballen me një dilemë morale. A ndihmon puna e tyre sistemin e ndalimit që ka si synim fitimet, që ata mendojnë se është i gabuar?

Profesorja e Universitetit Emory për fenë, Marie Marquardt, që është një nga vullnetaret, thotë se synimi kryesor i El Refugios është që sa më shumë njerëz të arrijnë t’i njohin të ndaluarit.

“Nuk bëhet fjalë për kriminelë të regjur. Ata nuk përbëjnë kërcënim për komunitetin tonë dhe ka prova se programe që ofrojnë alternativa për ndalimin, programe që i lejojnë të presin datën e gjyqit jashtë qendrës së ndalimit, kanë rezultate shumë të mira. Mbi 92 për qind e tyre vijnë në seancën e gjyqit”.

Dhe ajo thotë se shumica kanë anëtarë familjeje këtu, si për shembull Flores që thjesht donte të bashkohej me prindërit që nuk i ka parë prej 24 vjetësh.

Pas një lutjeje, vullnetarja e përshendet, pa qenë e sigurt a do të mund ta takojë përsëri.

XS
SM
MD
LG