Lidhje

SHBA: Propozohen shkurtime për emigracionin


Në SHBA, dy senatorë republikanë njoftuan se po mbështesin një legjislacion të ri që do të sillte ndryshime rrënjësore në sistemin amerikan të emigracionit, duke ulur me 50% numrin e shtetasve të huaj që pranohen çdo vit në vend.

Propozimi do të ulte emigracionin nga 1 milionë persona në vit, në 500 mijë, do të bashkërendonte politikën e qeverisë federale me kërkesat për kufizime, që grupimet konservatore kanë bërë prej dekadash.

Legjislacioni që po propozohet nga Senatorët David Perdue dhe Tom Cotton do të kufizonte numrin e familjarëve të personave me “kartë jeshile” që do të pranohen, do të mbyllte programin e lotarisë amerikane dhe do ta bënte shumë më të vështirë procesin e marrjes së “kartës jeshile”.

Senatorët Perdue dhe Cotton, përfaqësues të shteteve Georgia dhe Arkansas, thanë se shpresojnë që projektligji i tyre të paraqitet për votim në Senat brenda këtij viti, por edhe se nuk besojnë se do të veprohet menjëherë. Ata konfirmuan se kanë biseduar me Presidentin Trump përpara se të shpallnin këtë iniciativë të tyre.

Një organizatë që lobon për të drejtat e emigrantëve, “America’s Voice”, e kritikoi projektligjin, duke e quajtur atë pjesë të një fushate më të gjerë për të kufizuar emigracionin drejt Shteteve të Bashkuara.

Zëvendësdrejtorja e organizatës i tha kanalit NBC News se grupimi i saj pro-emigracion është “shumë i shqetësuar për këto kufizime të reja ndaj emigracionit të ligjshëm”.

Senatori demokrat Chris Van Hollen, i shtetit Maryland, i tha Zërit të Amerikës se sulmet ndaj emigrantëve dëmtojnë ekonominë dhe janë kundër vetë vlerave të kombit amerikan.

Ai thotë se “fillimisht, Presidenti Trump shpalosi një ndalim të paligjshëm dhe joamerikan ndaj refugjatëve dhe emigrantëve nga vende me shumicë myslimane. Tashmë, senatorë republikanë po propozojnë një legjislacion që do të gjymtojë emigracionin e ligjshëm, pa bërë asnjë përçapje për një reformim gjithpërfshirës të sistemit të emigracionit”.

“Ne - shton Senatori Van Hollen, - jemi vend emigrantësh, të cilët janë pjesë integrale e ekonomisë sonë. Ata janë sipërmarrës, krijues të vendeve të punës. Këto sulme ndaj emigrantëve dëmtojnë ekonominë dhe u kundërvihen vlerave tona si komb. Ne do ta kundërshtojmë me mish e me shpirt.”

Legjislacioni i propozuar, i emërtuar Reformë e Emigracionit American për një Punësim të Fortë (RAISE), do të lejonte vetëm bashkëshortet dhe fëmijët e mitur të shtetasve amerikanë dhe të rezidentëve të ligjshëm, që të hyjnë në SHBA si emigrantë. Propozimi do të hiqte trajtimin preferencial për familjarët e moshave madhore, si prindërit, vëllezërit dhe motrat, si dhe fëmijët e moshës madhore.

Senatori Cotton u tha gazetarëve se do të ekzistojë mundësia për të bërë një përjashtim për prindërit e rezidentëve të ligjshëm në raste sëmundjesh, por vetëm nëse familja garanton që ata nuk do të përfitojnë nga fonde publike për kujdesin shëndetësor.

Dy senatorët u shprehën nëpërmjet një deklarate se dëshirojnë të eliminojnë plotësisht lotarinë amerikane, të cilën e quajnë “të vjetëruar” dhe që sipas tyre mbizotërohet nga “manipulimi dhe nuk ndihmon asnjë synim ekonomik apo humanitar”. Programi i lotarisë amerikane jep aktualisht rreth 50 mijë viza në vit.

Sipas propozimit RAISE, kartat jeshile që përcaktojnë statusin e rezidencës dhe të lejeve të punës në SHBA, do të kufizohen deri në një maksimum prej 50 mijë në vit. Sipas vlerësimit të vetë propozuesve të projektligjit, periudha mesatare e pritjes për të marrë një leje të tillë do të bëhej 13 vjet.

Sipas senatorëve, emigrantët me aftësi të posaçme që do të ndihmonin ekonominë, do të lejohen të vijnë në SHBA dhe nuk do të ketë asnjë kufizim për numrin e të huajve që do të hyjnë me viza pune në SHBA.

Analistët thonë se projektligji synon të ndalojë shtetasit e huaj që janë të gatshëm të punojnë për rroga të ulëta duke konkuruar punonjësit amerikanë, të ardhurat e të cilëve kanë rënë gjatë viteve të fundit.

Senatori Cotton u tha gazetarëve se “nëse nuk e ndalojmë këtë prirje, do të krijohet një klasë e ulët e përhershme, për të cilën ëndrra amerikane do të mbetet gjithnjë e paarritshme”.

Ndihmësat e Senatorit Cotton vlerësojnë se legjislacioni RAISE do ta ulte me rreth 40 për qind emigracionin drejt SHBA gjatë vitit të parë, dhe me gati 50 për qind gjatë 10 viteve të ardhshme.

XS
SM
MD
LG