Lidhje

Republikanët diskutojnë për imigracionin

  • Cindy Saine

Udhëheqësit republikanë në Dhomën e Përfaqësuesve të Kongresit amerikan po u parashtrojnë parimet e tyre lidhur me reformën e imigracionit anëtarëve të partisë në një vendpushim në pjesën lindore të shtetit Maryland. Ata ka të ngjarë të dëgjojnë pikëpamje të fuqishme nga disa prej ligjvënësve më konservatorë, të cilët duan që t’i kushtohet përparësi sigurisë së kufijëve. Presidenti Barack Obama, ligjvënës demokratë dhe aktivistë pro reformës u kanë bërë thirrje republikanëve që ta bëjnë 2014-tën vitin e një reformimi të rëndësishëm të politikës amerikane të imigracionit, ndërkohë që analistët thonë se e ardhmja e kësaj çështjeje përballet me vështirësi.

Disa shtete amerikane po miratojnë ligjet e tyre për të zgjidhur çështjen reale të rreth 11 milion njerëzve pa dokumenta që jetojnë në Shtetet e Bashkuara. Shteti i Maryland-it, pranë kryeqytetit Uashington, po i lejon imigrantët pa dokumenta që të marrin patentën makinës në se përmbushin disa kërkesa.

Në fjalimin e tij mbi gjendjen e vendit, Presidenti Obama përsëriti thirrjen e tij për veprim.

“Më në fund, nëse jemi seriozë rreth zhvillimit ekonomik, ka ardhur koha që të kemi parasysh thirrjen e udhëheqësve të biznesit, të sindikatave të punëtorëve, të udhëheqësve fetarë dhe forcave të rendit që të marrim masa për riparimin e sistemit tonë jofunksional të imigracionit”.

Presidenti nuk i dha Kongresit një listë me kërkesa për reformën e imigracionit. Mark Kennedy i Universitetit George Washington thotë se ky ishte një hap i mënçur nga ana e presidentit.

“Mendoj se Presidenti e kupton që hapi i ardhshëm në këtë proces është që Dhoma e Përfaqësuesve të veprojë dhe sa më shumë që ai bën thirrje për reforma, aq më pak ka të ngjarë që ligjvënësit të mos veprojnë”.

Presidenti dhe demokratë të tjerë duan që ligji të përfshijë një nen për qytetarinë amerikane për banorët pa dokumenta.

“Ne kemi shumë familje, që po ndahen, prindërit nga fëmijët, sepse ata nuk kanë dokumentat e duhura. Unë mendoj që atyre familjeve, të cilat zbatojnë ligjet dhe paguajnë taksat duhet t’u ofrohet mundësia që të paguajnë një gjobë dhe të vihen në rradhë për të marrë shtetësinë amerikane”, thotë ligjvënësi demokrat, Lloyd Doggett:

Por shumë republikanë e kundërshtojnë mundësinë e shtetësisë, madje thonë se do të votojnë në favor të reformës së imigracionit me disa kushte të caktuara.

“Ndoshta pasi të diskutojmë rreth sigurisë së kufirit dhe nëse eliminojmë nga këto diskutime mundësinë e qytetarisë amerikane, çështje të tjera mund të hapen për diskutim. Por kam frikë se përjashtimi fillimisht i sigurimit të kufirit dhe eliminimi i mundësisë së qytetarisë do të na çojë në një rrugë pa krye në Dhomën e Përfaqësuesve”, - thotë ligjvënësi republikan, Andy Harris.

Një prej të ftuarve të Zonjës së Parë, Michelle Obama në fjalimin e presidentit ishte Cristian Avila, aktivist për të drejtat e imigrantëve, i cili mbajti kohët e fundit një grevë urie për 22 ditë me kërkesën që Kongresi të veprojë. Cristian thotë se ai që të marrë shtetësinë dhe të shërbejë në ushtrinë amerikane.

“Pa dyshim që shtetësia amerikane është shumë e rëndësishme për ne dhe familjet tona në mënyrë që të mos krijojmë një segment të klasës së dytë në shoqërisi, apo jo”?

Ai dhe imigrantë të tjerë do ta vazhdojnë presionin ndaj republikanëve dhe demokratëve për të miratuar ligjin për reformën e imigracionit.

XS
SM
MD
LG