Lidhje

SHBA, emigrantët nga Amerika Qendrore


Dhjetra mijëra banorë nga Amerika Qendrore, që kanë kërkuar azil në Shtetet e Bashkuara gjatë vitit të kaluar, duke kaluar kufirin në jug të shtetit të Teksasit, janë larguar nga vendet e tyre për t’i shpëtuar varfërisë dhe dhunës. Por një rol për vendimin për t’u larguar, ka luajtuar edhe mendimi se mund të lejohen të qëndrojnë në Amerikë. Ndonëse shumë prej tyre dëbohen pas një udhëtimi të rrezikshëm e të shtrenjtë, ata thonë se nuk kanë patur alternativë tjetër, veçse ta provojnë një herë fatin.

Ky burrë, që thotë se e ka emrin Edi, u largua nga Guatemala me vajzën 3 vjeçare, për t’i shpëtuar dhunës:

“Ka shumë krime, shumë trafik droge dhe rrëmbime fëmijësh. Trafikantët e drogave janë të fuqishëm.”

Ishte e njejta frikë që detyroi Alma Ciro të largohej me dy fëmjët e saj nga Hondurasi:

“Gjendja është e rëndë. Ka shumë krime, papunësia është e lartë dhe shumë meshkuj ndjekin vajzat kur ato dalin nga shkolla. Kështu i ndodhi vajzës sime”.

Vajza e saj arriti të kthehet në shtëpi, tregon ajo, por disa vajza janë rrëmbyer, dhunuar dhe vrarë.

Alma tregon se asaj iu desh mbi një muaj të udhëtonte përmes Meksikës për të arritur në kufirin amerikan, shpesh herë e urritur dhe e rrezikuar nga ata që përpiqen të përfitojnë prej imigrantëve.

“Ata të kërkojnë para. Gjithshka vërtitet rreth parasë. U marrin njerëzve edhe ato pak të holla që u kanë mbetur”.

Duke udhëtuar nga Guatemala përmes Meksikës, tregon Edi, kaq shumë njerëz i kërkuan para, sa kur mbërriti në kufi, nuk i kishte mbetur asgjë:

“Në Meksikë kërkojnë të të zhvasin. Por më e keqja ishte kur do kaloja lumin. Kisha frikë se vajza do më mbytej”.

Histori të tilla janë më se të zakonshme, thotë ish zyrtari i agjencisë amerikane të Imigracionit, Hipolito Acosta:

“Të vjen keq për ta kur mendon se çfarë vështirësish kanë kaluar”.

Zoti Acosta i ka provuar rreziqet kur punonte si agjent i fshehtë për të mbledhur të dhëna kundër trafikantëve.

“Kam udhëtuar me një grup emigrantësh të paligjshëm nga Meksika, në karrocerinë e një kamioni, që trafikantët po e përdornin për ta na futur në Amerikë dhe desh u mbyta në lumin Rio Grande,” thotë ai.

Zoti Acosta thotë se fluksi i fundit i imigrantëve nga Amerika Qendrore është pjesë e një historie më të gjatë.

“Varfëria dhe dhuna në vendet e Amerikës Qendrore po vazhdon prej dekadash. Kjo nuk është gjë e re.”

Ai beson se imigrantë të tjerë do të vijnë për shkak të politikës së tanishme amerikane për t’i regjistruar ata që kërkojnë azil dhe për t’i lënë të lirë deri ditën e zhvillimit të gjyqit.

Por Alma, thotë se ajo vendosi ta bëjë udhëtimin e rrezikshëm për të mbrojtur dy fëmijët e saj, duke shtuar se ajo do të kthehej vetë në vendin e saj, në se gjendja atje ndryshonte.

“Duhen dy gjera, punë dhe më pak krim,” thotë ajo.

Plotësimi i këtyre dy kushteve do të dojë kohë të gjatë, ndërsa fluksi i imigrantëve në kufi, pritet të vazhdojë.

XS
SM
MD
LG