Lidhje

SHBA, përballja politike për imigracionin

  • Cindy Saine

Sekretari i Sigurisë Kombëtare Jeh Johnson mbrojti urdhrin ekzekutiv të kohëve të fundit të presidentit Barack Obama mbi emigracionin, para Komisionit të Kongresit për Sigurinë Kombëtare. Pakënaqësia e Partisë Republikane, me atë që ata e shohin si një "kapje të pushtetit ekzekutiv", mund të ndikojë një projekt-ligj për financimin e qeverisë që duhet të miratohet më 11 dhjetor.

Aktivistët e të drejtave emigrantëve festuan jashtë Shtëpisë së Bardhë muajin e kaluar, pasi presidenti Obama njoftoi se do të marrë masa për të shmangur deportimin për rreth 4 milionë emigrantë pa dokumente, në qoftë se ata ofrohen për t’u regjistruar.

Por, në Kongres, vendimi i Presidentit për emigracionin u prit ndryshe.

Ligjvënësit republikanë ngritën pyetjeve për Sekretarin e Sigurisë Kombëtare Jeh Johnson në lidhje me ligjshmërinë dhe kohën e njoftimit mbi imigracionin. Zoti Johnson mbrojti veprimin e Presidentit:

"Realiteti është se, duke pasur parasysh burimet tona të kufizuara, largimi i këtyre njerëzve nuk është dhe nuk ka për të qenë për vite me radhë një prioritet. Është koha që ne ta pranojmë këtë dhe t’i inkurajojmë ata të mbajnë përgjegjësi. Është diçka logjike."

Republikanët në panel thanë se urdhri ekzekutiv mund të bëjë që më shumë njerëz të hyjnë në Shtetet e Bashkuara në mënyrë të paligjshme. Por zoti Johnson fajësoi republikanët e Dhomës së Përfaqësuesve që nuk kishin miratuar një ligj emigracioni, ashtu siç kishte bërë Senati. Kjo u pasua nga ky shkëmbim argumentesh mes Sekretarit Johnson dhe ligjvënësit republikan Jeff Duncan:

Johnson:

"Unë do të doja të punoja me Kongresin për miratimin e një projekt-ligji. Presidenti ka thënë se do të ishte preferenca e tij. Problemi është që ne nuk kemi asnjë partner në Kongres."

Jeff Duncan:

"Mendoj se Kongresi mund të miratojë një ligj, kur populli amerikan të fillojë të rifitojë besimin që administrata po bën punën e saj dhe po zbaton ligjet që ekzistojnë."

Gjithashtu, kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve John Boehner zhvilloi një takim me kolegët e tij republikanë për të diskutuar se si të kundërshtonin urdhrin ekzekutiv të Presidentit:

"Jemi duke konsideruar një numër mundësish, sa i përket mënyrës se si do të reagojmë në këtë rast. Kjo është një shkelje e rëndë e Kushtetutës, është një kërcënim serioz për sistemin tonë të qeverisjes. Por ne nuk kemi shumë mundësi për të kundërshtuar drejtpërdrejt dhe kjo është arsyeja pse po vazhdojmë të bisedojmë me anëtarët tanë. Nuk kemi marrë ende vendime mbi mënyrën se si do të veprojmë, por ne do të veprojmë."

Analistët thonë zoti Boehner duket i gatshëm të gjejë një mënyrë për të orientuar zemërimin e republikanëve rreth imigracionit, duke miratuar ndërkohë një ligj buxheti, për të shmangur një tjetër mbyllje të kushtueshme të qeverisë, si ajo që ndodhi në tetor 2013.

XS
SM
MD
LG