Lidhje

Burgjet amerikane

  • Jeff Swicord

Me rastin e Ditës Ndërkombëtar të të Drejtave të Njeriut, do t’i hedhim një vështrim nivelit të burgosjeve në Shtetet e Bashkuara. Grupet e të drejtave të njeriut i kanë kritikuar Shtetet e Bashkuara për numrin më të madh të të burgosurve në botë. Ata argumentojnë se gjykatat amerikane japin vazhdimisht dënime afatgjata për krime jo të dhunshme. Pas 30 vjet politikash të ashpra ndaj krimit, si konservatorët ashtu edhe liberalët kanë filluar të bien dakort se ka ardhur koha për reforma.

Në prill të vitit 1998, binjakët Laurence dhe Lamont Garrison u dënuan për shpërndarje të kokainës. Sipas dënimit minimal të detyrueshme, që gjykatësi nuk mund ta ndryshojë, ata po kryejnë 12 dhe 14 vjet burg. Ekspertët thonë se në kushte të tjera, ata do ishin dënuar me më pak se pesë vjet burg.

Edhe sot, Lamont Garrison thotë se është i pafajshëm.

“Më thonë, zoti Garrison kjo është mundësia të ndihmosh veten. Dhe unë iu përgjigjem, si ta ndihmoj veten? Çfarë doni të thoni? Ju më thoni se kam bërë këtë apo atë shkelje, pra duhet të pranojë çfarë kam bërë. Por unë nuk kam bërë asnjë shkelje, kështu që nuk kam çfarë t’u them.”

Organizatat e të Drejtave të Njeriut i kanë kritikuar shpesh Shtetet e Bashkuara për mos-respektimin e parimeve bazë të drejtësisë duke dhënë dënime më të rënda se ç’duhet për krimin. Marc Maur është drejtor ekzekutiv i firmës Sentencing Project.

“Niveli i burgosjeve filloi të rritej në vitet 1970, por u shpejtua shumë në 1980 me fillimin e lëvizjes për të mbajtur një qëndrim më të ashpër ndaj krimit dhe dënimin e detyrueshëm. Faktitisht një nismë politike për të dërguar më shumë njerëz në burg dhe për t’i mbajtur atje për një kohë të gjatë.”

Synimi ishte të dënoheshin kriminelët e dhunshëm. Por udhëzimet për dënime të rënda filluan të hyjnë edhe për krimet jo të dhunshme, zakonisht të lidhura me shkelje që kanë të bëjnë me drogën.

30 vjet më vonë, niveli i burgosjeve është rritur me 500 përqind. Më shumë se 2 milionë njerëz janë tani në burg në Shtetet e Bashkuara duke e bërë këtë numrin më të madh në botë. Mark Maur thotë se dënimet e gjata kanë efektin domino në mbarë shoqërinë.

“Kur një person dërgohet në burg, nuk është vetëm ai që ndikohet, por edhe familja e tij. Fëmijët pësojnë një humbje psikologjike, për prindin që është pas prangave – turpi, stigma që e shoqëron një gjë të tillë.”

Këto pasoja kanë sjellë thirrje për reforma.

Michael Barone është me institutin konservator American Enterprise.

“Konservatorët thonë se duan të dinë si ta përmirësojnë gjendjen dhe një nga gjërat që menduan është – nëse nuk vendosim dënime afatgjata për njerëzit që kryejnë shkelje jo të dhunshme, krimet e të cilëve sjellin dëmtime minimale për shoqërinë, atëherë ndoshta do të kemi familje më të mira.”

“Do të jetë një zhvillim i ngadaltë. Ne mund të japim dënime të detyrueshme në 20 minuta, por duhet ndonjëherë 20 vjet për të zhbërë dëmin që është shkaktuar”, thotë Maur.

Ka një lëvizje dypartiake në Kongres për të pakësuar dënimet e detyrueshme. Por kjo do të jetë në dorën e republikanëve që do të kontrollojnë të dyja dhomat gjatë sesionit të ardhshëm.

XS
SM
MD
LG