Lidhje

Fushata ndërkombëtare kundër ISIS


Cila është strategjia amerikane për të mposhtur Shtetin Islamik

Zëvendës sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken tha sot se mbi 10 mijë militantë të grupit Shteti Islamik, janë vrarë gjatë fushatës kundër kësaj organizate terroriste. Ai i bëri këto komente në një intervistë për median franceze, një ditë pasi mori pjesë në një takim në Paris me kryeministrin irakian Haider al-Abadi për të diskutuar strategjinë për luftë kundër Shtetit Islamik.

Bashkërendimi i përpjekjeve ndërkombëtare kundër ISIS ka nxitur një numër nismash diplomatike nga administrata Obama. Në takimin e Parisit, një vëmendje e veçantë iu kushtua situatës në qytetin Ramadi të Irakut, i cili tani kontrollohet nga ISIS. Sekretari i Shtetit John Kerry, i lënduar në një aksident me biçikletë, u lidh me telefon gjatë punimeve të konferencës, duke thënë se në përgjigje të situatës në Ramadi, Shtetet e Bashkuara po dërgojnë raketa anti-tank për të ndihmuar trupat irakiane.

I dërguari special i Presidentit amerikan Barak Obama pranë Koalicionit Global kundër ISIS, Gjenerali John Allen ishte në Doha të Katarit ku foli në Forumin mes Shteteve të Bashkuara dhe Botës Islame:

“Kjo do të jetë një fushatë e gjatë. Disa aspekte të saj si mposhtja e ideologjisë së ISIS mund të zgjasin për një brez të tërë, ose më shumë, por ne duhet ta përqafojmë këtë sfidë”.

Gjenerali tha se një vëmendje e veçantë u është kushtuar përpjekjeve për të bllokuar qasjen e rrjeteve terroriste në sistemin financiar global. Tani vendet partnere në luftë kundër ISIS, tha ai, kanë një ide shumë më të qartë mbi operacionet financiare dhe aktivitetin e biznesit të Shtetit Islamik.

Gjenerali shtoi se lufta kundër një ideologjie dhe organizate terroriste duhet shoqëruar me një aspekt human, në reagimin ndaj rekrutëve të ISIS:

“Burgimi për një periudhë të gjatë nuk mund të jetë zgjidhja e vetme për ata që kthehen nga fushë-beteja. Mendoj se duhet të përpiqemi të jemi një koalicion shtetesh që veprojnë me humanizëm, sidomos duke pasur parasysh suksesin që kanë arritur disa vende partnere me këtë metodë. Premtimi për rehabilitim dhe ri-integrim duhet studiuar dhe vënë në zbatim”.

Gjenerali Allen pritet të jetë nesër në Kosovë për takime me zyrtarët në Prishtinë, në kuadër të një turneu me ndalesa edhe në Mal të Zi, Bosnje, Kroaci dhe Itali, për diskutime mbi bashkërendimin e përpjekjeve kundër Shtetit Islamik.

Ish-drejtori i CIA-s James Woolsey, aktualisht kryetar i Fondacionit për Mbrojtjen e Demokracive është shprehur kritik ndaj fushatës së deritanishme të administratës kundër ISIS.

“Për sa i përket strategjisë në përgjigje të Shtetit Islamik, nuk mendoj se Presidenti Obama ka strategji. Nuk kam parë gjë. Nuk është dëshmuar në ndonjë formë të perceptueshme. Ndoshta do të dalë në dukje së shpejti dhe do të mësojmë se për çfarë strategjie bëhet fjalë”.

Shtetet e Bashkuara filluan vjet në gusht një fushatë ajrore kundër ISIS në Irak dhe në shtator e zgjeruan fushatën edhe kundër bazave të grupit në Siri. Ato sulme i kanë ndihmuar forcat pro qeveritare që të rimarrin disa zona, por militantët kanë vazhduar përparimet, përfshirë edhe pushtimin muajin e kaluar të Ramadit, një qytet i rëndësishëm në perëndim të Irakut.

Zëvendës Sekretari i Shtetit Blinken tha dje në Paris se me gjithë disa humbje, kombinimi i fushatës ajrore me stërvitjen, pajisjen dhe mbështetjen e forcave lokale është “strategjia drejt fitores”.

XS
SM
MD
LG