Lidhje

Sek. Kerry për programin bërthamor të Iranit


Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry tha se mosmarrëveshjet rreth programit bërthamor të Iranit mund të zgjidhen me rrugë diplomatike, ndërsa kryeministri i Izraelit, Benjamin Netaynahu bëri thirrje për çmontimin e programit të debatueshëm bërthamore të Iranit.

Dy zyrtarët u takuan të mërkurën në Romë. Çështje të tjera në rendin e ditës së takimit ishin edhe negociatat e paqes mes Izraelit dhe palestinezëve si dhe kriza në Siri.

Sekretari Kerry tha se është me rëndësi kritike që Irani t’i tregojë botës se programi i tij bërthamor është qartësisht vetëm për qëllime paqësore.

Komuniteti ndërkombëtar, tha zoti Kerry, është i shqetësuar dhe nuk dëshiron që Irani të prodhojë armë bërthamore.

Irani thotë se programi i tij bërthamor ka synime paqësore. Por perëndimi dhe Izraeli janë të shqetësuar se Teherani është duke u përpjekur të prodhojë lëndë bërthamore të cilësisë që përdoret për armë. Komuniteti ndërkombëtar ka vendosur sanksione ndaj Iranit kur ky i fundit nuk pranoi të ndërpriste procesin e pasurimit të uraniumit.

Zoti Netanyahu tha se Irani duhet t’i japë fund gjithë procesit të pasurimit, të dorëzojë materialin bërthamor që zotëron, të mbyllë impiantet e ujit dhe bunkerët e nëndheshëm, që siç tha ai, përdoren për prodhimin e armës atomike.
XS
SM
MD
LG