Lidhje

Debati mbi angazhimin amerikan në Irak


Ndërkohë që Shtetet e Bashkuara po dislokojnë qindra ushtarë për t'u marrë me krizën e Irakut, administrata e Presidentit Obama po përballet me pyetje të vështira mbi anagazhimin amerikan atje përfshirë pyetjen nëse ky është fillimi i një riangazhimi të plotë amerikan në këtë vend të Lindjes së Mesme.

Duke marrë parasysh konsolidimin e kontrollit të kryengritësve suni në shumë qytete, janë ngritur pyetje nëse dislokimi i gati 300 këshilltarëve ushtarakë amerikanë mund të jetë i pamjaftueshëm dhe i vonuar.

Presidenti Obama dërgoi Sekretarin e Shtetit John Kerry në Irak këtë javë për të nxitur unitetin e udhëheqësve politikë irakianë kundër kryengritësve islamikë dhe gjetjen e një zgjidhje për krizën në Irak.

Trupat amerikane po dërgohen në Irak për të ndihmuar qeverinë irakiane në shuarjen e kryengritjes.

Josh Earnest është zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë.

"Kjo administratë beson se ka ardhur koha që udhëheqësit politikë të Irakut të marrin vendimet e nevojshme që do të bashkojnë vendin për të trajtuar kërcënimin terrorist, kërcënimin ekstremist me të cilin tani po përballet Iraku".

Përveç këshilltarëve ushtarakë, presidenti Obama ka urdhëruar dërgimin e deri në 275 ushtarëve për të mbrojtur ambasadën e Shteteve të Bashkuara dhe interesa të tjera amerikane në Irak.

Puna e këshilltarëve amerikanë është vlerësimi i aftësive të ushtrisë irakiane e cila është goditur nga braktisjet dhe morali i dobët.

Mund të jetë e vështirë për administratën e Presidentit Obama që të mbajë numër të vogël trupash në Irak, thotë Julian Zelizer, profesor i historisë politike në unversitetin Princeton.

"Nëse pas dërgimit të një force të vogël prej 300 njerëzish atje, ata rekomandojnë dërgimin e më shumë trupave, atëherë do të jetë e vështirë për presidentin që të injorojë njerëzit që ai vetë i ka dërguar për të parë se çfarë duhet bërë".

Profesori Zelizer thotë se konfliktet e kaluara, si ato në Vietnam dhe Kore, kanë treguar se si dislokimi i grupeve të vogla mund të bëhet shkas për operacione më të mëdha.

"Me zgjerimin e misionit, zgjerohen edhe operacionet. Është shumë e vështirë t’i kontrollosh këto situata".

Në Irak, ku situata është duke u përkeqësuar dhe ku Shtetet e Bashkuara tashmë kanë investuar shumë, sfida për të kufizuar angazhimin atje ndoshta është edhe më e madhe.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG