Lidhje

Këshilltarët ushtarak amerikanë në Irak brenda 6 – 8 javësh


Personeli i ri do t’u bashkohet 3 mijë e 100 trupave amerikane që tashmë janë duke stërvitur dhe këshilluar forcat irakiane. Kritikët e cilësojnë ndihmë të pamjaftueshme

Hapi i ardhshëm i përpjekjeve amerikane për të ndihmuar Irakun në luftën kundër militantëve të Shtetit Islamik, mund të hidhet brenda gjashtë deri tetë javësh, thanë në Pentagon, derisa 450 pjesëtarë të personelit ushtarak po bëhen gati për t’u vendosur në krahinën e Anbarit për të këshilluar dhe ndihmuar forcat irakiane.

Ata do të veprojnë në afërsi të bazës ushtarake Taqqadum, që ndodhet ndërmjet Ramadit dhe Fallujah, dy qytete të mëdha që kontrollohen aktualisht nga grupi Shteti islamik.

Në Taqqadum, forcat amerikane do të këshillojnë divizionin e tetë të armatës irakiane se “si të vendosin trupat e tyre sa më mirë” dhe të përmirësojnë logjistikën dhe veprimtaritë e zbulimit, tha zëdhënësi i Pentagonit, koloneli Steve Warren. Ata do të punojnë edhe për të lidhur fiset sunni në Anbar me qeverinë e Irakut, në përpjekje për të përfshirë milicitë sunnite në kuadër të forcave pro qeveritare që po luftojnë Shtetin Islamik.

Shtëpia e Bardhë publikoi të mërkurën misionin, duke theksuar se presidenti Barack Obama, është këshilluar me kryeministrin irakian Haider al-Abadi dhe se veprimi është në vijë me kërkesat dhe dëshirat e Abadit për ndihmë shtesë.

Personeli i ri do t’u bashkohet 3 mijë e 100 trupave amerikane që tashmë janë duke stërvitur dhe këshilluar forcat irakiane në zona të tjera të vendit. Asnjë nga trupat amerikane nuk është i përfshirë në luftimet në terren, një mundësi e hedhur poshtë nga presidenti Obama.

“Në fund të fundit ju e keni dëgjuar presidentin të ketë thënë disa herë se duhet të ketë një zgjidhje lokale për rimarrjen dhe mbajtjen e territoreve dhe se ushtria amerikane nuk mund ta bëjë këtë për irakianët”, tha zëvendës këshilltari për siguri kombëtare Ben Rhodes, duke shtuar se “sinqerisht, irakianët duan të drejtojnë vet”.

Ish ushtaraku amerikan Rick Brennan, aktualisht pjesë e korporatës RAND, i tha Zërit të Amerikës se përpjekjet e reja janë një hap në drejtimin e duhur, por nuk përfshinë forcat e mjaftueshme për të përmbushur synimet e presidentit.

Ai tha po ashtu se këshillimi vetëm i trupave irakiane, nuk e zgjidh çështjen e grupit Shteti Islamik përtej Irakut, në çerdhen e tij në Siri dhe kërcënimet përtej si në Libi.

Kritikët nga radhët e republikanëve thanë po ashtu se përpjekjet e reja janë të pamjaftueshme.

Senatori Lindsey Graham i tha Zërit të Amerikës se këshilltarët e rinj “janë vetëm shtesë e një strategjie që nuk do të funksionojë” dhe se janë shumë pak për të bërë diferencën.

Senatori John McCain në vazhdimësi ka përsëritur nevojën që trupat tokësore amerikane të kthehen në Irak.

XS
SM
MD
LG