Lidhje

Takim Obama-Abe në Shtëpinë e Bardhë


Presidenti Barack Obama priti sot në Shtëpinë e Bardhë kryeministrin japonez Shinzo Abe, i cili ndodhet në Shtetet e Bashkuara për një vizitë shtetërore. Të dy udhëheqësit thanë se aleanca mes të dy vendeve është më e fortë e kurrë.

Zoti Obama tha se Shtetet e Bashkuara dhe Japonia, dikur armiq gjatë Luftës së Dytë Botërore, kanë një partneritet të pathyeshëm dhe janë “miq të vërtetë”.

Zoti Abe nga ana e tij, e cilësoi aleancën amerikano-japoneze si “më të fortë se kurrë” dhe shtoi se Tokio do të jetë “në ballë të përpjekjeve, krahas me Shtetet e Bashkuara”, në përballimin e sfidave globale.

Presidenti Obama dhe kryeministri japonez Abe u zotuan të përfundojnë marrëveshjen e 12 vendeve të Paqësorit, edhe ndërsa udhëheqësi amerikan pranoi se ka kundërshtime në të dy vendet. Marrëveshja dhe një tjetër e ngjashme me vendet evropiane, ka shkaktuar kundërshtime nga sindikatat në SHBA dhe të ligjvënësve demokratë, të cilët në kushte normale janë aleatë me presidentin Obama, anëtar i Partisë Demokrate.

Ndërkohë, republikanët në Kongres, që janë mbështetës të biznesit dhe që shpesh e kundërshtojnë zotin Obama për një varg çështjesh, zakonisht mbështesin marrëveshjet e tregtisë të mbetura pezull.

Zoti Obama tha se ligji për tregtinë do të fuqizonte eksportuesit amerikanë dhe tregun amerikan të punës. "Kam besimin se do sigurojmë miratimin me vota të Kongresit", - tha ai.

Në konferencën një orëshe për shtyp në Oborrin e Trëndafilave të Shtëpisë së Bardhë, të dy udhëheqësit prekën një numër çështjesh. Ata ngritën gjithashtu shqetësime lidhur me aktivitetet e Kinës në Detin e Kinës Jugore.

Sonte presidenti Obama dhe Zonja e Parë, Michelle Obama, do të organizojnë një darkë shtetërore për zotin Abe dhe gruan e tij, Akie, ku pritet të marrin pjesë rreth 300 vetë.

Të hënën, zoti Abe dhe zyrtarë të lartë japonezë u takuan me homologët e tyre amerikanë në New York dhe ranë dakord ta forcojnë aleancën e tyre në fushën e mbrojtes, një veprim që shihet gjerësisht si një përgjigje ndaj fuqizimit të vazhdueshëm të Kinës.

XS
SM
MD
LG