Lidhje

Hoyt Yee, thirrje qeverisë së Kosovës të tërheqë ligjin për FSK-në


Zëvendës ndihmës sekretari amerikan i shtetit për çështjet evropiane dhe euro-aziatike, Hoyt Brian Yee, tha të mërkurën se Shtetet e Bashkuara dëshirojnë që qeveria të bëjë një hap prapa dhe ta heqë ligjin për ndryshimin e misionit të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Në një intervistë me Radio Televizionin e Kosovës, ai tha se procesi i këshillimeve për këto ndryshime nuk ka qenë i përshtatshëm. “Për këtë arsye po kërkojmë nga qeveria, nga kryetari i parlamentit dhe të tjerët të përfshirë në këtë nismë që ta tërheqin ligjin derisa procesi konsultativ, procesi i bashkërenditjes të bëhet në pajtim me udhërrëfyesin. Sërish, ne mbështesim qëllimin që Kosova eventualisht të ketë ushtrinë e saj. Ndjejmë se ky është proces normal për çdo vend sovran. Por, ka një mënyrë të duhur për ta bërë këtë. Dhe duhet të ketë konsultime. Këtë gjë dëshirojmë ta shohim ne”, tha ai.

Hoyt Brian Yee tha se ekziston udhërrëfyesi të cilin e kanë hartuar ShBA-të dhe aleatët e NATO-s me Kosovën se si kjo nismë duhet të ecë përpara.

“Këtu përfshihet përkrahja politike brenda Kosovës për një hap të tillë. Kjo nënkupton që duhet të konsultohen të gjitha partitë politike. Duhet të ketë një periudhë kohore gjatë të cilës ka debat ndërmjet palëve të interesuara dhe hisedarëve ashtu që shqetësimet të merren parasysh dhe që hapat e domosdoshëm brenda udhërrëfyesit të bëhen në transparencë të plotë pa asnjë fshehtësi. Nuk ka nevojë për fshehtësi në këtë çështje. Pikëpamja jonë është se transformimi duhet të bëhet me ndryshime kushtetuese”.

Zëvendës ndihmës Sekretari amerikan i shtetit qëndroi në një vizitë dyditëshe në Prishtinë, ku u takua me zyrtarët e institucioneve dhe përfaqësues të partive politike.

Përveç çështjes së shndërrimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, ai ka diskutuar me udhëheqësit e Kosovës edhe për çështjen e shënimit të kufirit me Malin e Zi. Ai shfaqi besimin se marrëveshja për shënimin e kufirit me Malin e Zi është diçka që duhet të miratohet.

“Ne besojmë se zgjidhja e një çështjeje në mes të fqinjëve ka vlerë të madhe. Mendoj se është ndër qëllimet tona të rëndësishme në rajon për t’i parë shtetet fqinje duke arritur marrëveshje për t’i përmbyllur mospajtimet, për të treguar se nuk ka më probleme ndërmjet fqinjëve. Është me rëndësi për ne, si partner strategjik, është me rëndësi për Bashkimin Evropian, që ta dimë se nuk ka ndonjë çështje të mbetur ndërmjet fqinjëve. Pra, ne mendojmë se është ujdi e mirë. Shpresojmë shumë se Marrëveshja për shënimin e kufirit do të miratohet nga parlamenti. E mirëpresim faktin që Lista Serbe është kthyer dhe që ka dhënë shenja se është e gatshme ta përkrahë atë”, ka thënë zoti Yee.

Ai tha se vizita e në Kosovë kishte për qëllim rikonfirmimin e mbështetjes së fuqishme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Kosovën, për zhvillimin e vazhdueshëm të saj si shtet i pavarur e sovran dhe për zhvillimin e saj të vazhdueshëm si shtet i qëndrueshëm e demokratik dhe për t’i shqyrtuar përparësitë tona për Kosovën.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG