Lidhje

Delawie: Zhvillimet në parlament – dëmtojnë Kosovën


Ambasadori amerikan në Prishtinë Greg Delawie, tha të enjten se skenat e dhunshme në parlament po e dëmtojnë Kosovën dhe proceset politike rreth saj

Ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie, tha të enjten në Prishtinë se zhvillimet e fundit në parlamentin e Kosovës, dëmtojnë proceset politike pozitive rreth saj.

Ai i bëri këto komente në një takim me kryetarin e parlamentit të Kosovës, Kadri Veseli, një ditë para seancës së caktuar për të premten, me gjithë paralajmërimet e partive opozitare për bllokimin e punës së tij.

Sot është mbushur një muaj që kur partitë opozitare po pamundësojnë mbajtjen e seancave të parlamentit në shenjë kundërshtimi ndaj marrëveshjeve të arritura në bisedimet me Serbinë në fund të muajit gusht me të cilat komunave me shumicë serbe u ofrohet një shkallë e gjerë autonomie si dhe marrëveshjes për shënimin e kufirit me Malin e Zi. Opozita hodhi edhe gaz lotsjellës në dy raste për të penguar punën e parlamentit, duke kërkruar tërheqjen e marrëveshjeve që sipas saj, e dëmtojnë shtetin e Kosovës.

Ambasadori amerikan tha të enjten se është me rëndësi që parlamenti të rifillojë punën për të miratuar ligjet që janë thelbësore për mirëqenien e qytetarëve të Kosovës.

Më duhet të them se tani njerëzit në mbarë botën, qeveritë, investitorët dhe qytetarët e zakonshëm janë duke lexuar dhe duke parë pamje dhune dhe kaosi në institucionin më të rëndësishëm demokratik të Kosovës. Kjo nuk është mirë për Kosovën”.

“Për ata njerëz që sollën armë në parlament dhe i përdorën kundër kolegëve të tyre kam një mesazh. Jeni duke e dëmtuar ekonominë e Kosovës, jeni duke rrezikuar izolimin e Kosovës nga komuniteti euro-atlantik, jeni duke dëmtuar mundësitë për liberalizimin e vizave, jeni duke vonuar mundësitë e njohjes së Kosovës nga kombet tjera”, tha ambasadori amerikan.

Kryetari i parlamentit, Kadri Veseli, u bëri thirrje deputetëve të debatojnë në parlament për çështjet e rëndësishme për vendin dhe shqetësimet e tyre.

Parlamenti nuk është pjesë e tematikës së bllokadës, pasi që nuk ka nënshkruar asgjë, dhe as nuk duhet të jetë pjesë e një bllokade të paarsyeshme. Parlamenti është një vend ku mund të shprehen të gjitha shqetësimet për çështjet tematike, qofshin ato edhe për marrëveshjen për Asociacionin dhe demarkacionin”, tha ai.

Marrëveshjet me Serbinë që çuan në shtimin e tensioneve politike në Kosovë, ishin pjesë e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja palëve, që është edhe kusht për afrimin e tyre me strukturat evropiane. Ato i siguruan Serbisë hapjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ndërsa Kosovës marrëveshjen e stabilizim asocimit që pritet të nënshkruhet në Strasbourg më 27 tetor.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG