Lidhje

Warlick: Energjia - kusht për zhvillimin ekonomik të Kosovës


Zëvendësndihmës sekretarja amerikane e shtetit për energji dhe burime natyrore, Mary Warlick tha sot se sigurimi i energjisë është kusht thelbësor për të ardhmen e zhvillimit ekonomik dhe qëndrueshmërisë në përgjithësi në Kosovës.

Ajo i bëri këto komente gjatë një vizite në Kosovë, ku është takuar me ministrin e Zhvillimit Ekonomik Blerand Stavileci. Zonja Warlick e cila vizitoi termocentralet kryesore të Kosovës tha se rëndësia e forcimit të sigurisë energjetike ishte pjesë edhe e deklaratave të Nënpresidentit Amerikan, Joe Biden gjatë vizitës në Kosovë, ku siguria energjetike përmes ndërtimit të termocentralit të ri do të hap rrugë për rritje ekonomike. Ajo tha se me ndërtimin e termocentralit të ri pritet që të ulet ndotja e ajrit dhe që do të ketë rezultate në shëndetësinë e qytetarëve të Kosovës.

Vizioni ynë afatgjatë për të ardhmen energjetike të Kosovës është ai në të cilin Kosova do të zbatojë strategjitë energjetike të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara, të cilat bëjnë thirrje që përfundimisht të mbyllet termocentrali Kosova A, të bëhet rehabilitimi i termocentrali Kosova B në mënyrë që të përmbushë standardet e mjedisit të Bashkimit Evropian, zhvillimin e gjeneratës së re të energjisë, privatizimin e rrjetit të shpërndarjes së energjisë në të cilën qeveria amerikane ka ndihmuar për të përfunduar këtë proces në maj të 2013 dhe zhvillimin e burimeve të ripërtërishme të energjisë”, tha zonja Warlick duke nënvizuar se integrimi i Kosovës në rrjetin e shpërndarjes së energjisë në tregun e Evropës Juglindore është i rëndësishëm për të përmbushur nevojat e saj energjetike.

Autoritetet në Kosovë kanë përzgjedhur kompaninë amerikane Contour Global, të ndërtojë termocentralin e ri me forcë prodhuese prej 500 megavat orë energji elektrike që është rreth 70 për qind e prodhimit aktual në Kosovë dhe do të kushtojë një miliardë euro.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik Blerand Stavileci tha se projekti për ndërtimin e termocentralit të ri është duke shënuar përparim.

Ne deri tash kemi bërë shumë hapa në drejtim të finalizimit të disa prej çështjeve kryesore të cilat mundësojnë që të kalojmë në fazën e fundit të tij në atë të ndërtimit të termocentralit dhe besojmë që gjatë këtyre ditëve dhe javëve të ardhshme ne do të kemi zhvillime të reja në mënyrë që të kalojmë në një fazë tjetër” tha ministri Stavileci.

Prodhimi i energjisë elektrike nga qymyri linjit vlerësohet me rëndësi thelbësore për përmirësimin e gjendjes energjetike në vend. Përfaqësues të Bankës Botërore e të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe zhvillim i kanë dhënë mbështetje projektit i cili vlerësohet me peshë të veçantë për shtetin e ri që është ndër vendet më të varfra në Evropë me një shkallë të papunësisë që është mbi 40 për qind.

Sipas autoriteteve ndërtimi i termocentralit të ri pritet të filloj më sa largu deri në fillim të vitit 2017 dhe pritet që të zgjas disa vjet. Deri në përfundimin e tij, vendi do të vazhdojë të përballet me vështirësi dhe të varet nga prodhimi i termocentraleve të vjetra e të mbajtura keq që nuk sigurojnë dot energji të mjaftueshme për vendin, janë të dëmshëm për mjedisin dhe detyrojnë qeverinë të investojë në importe të shtrenjta.

XS
SM
MD
LG