Lidhje

SHBA, bën thirrje për miratimin e marrëveshjes për kufirin Kosovë - Mali i Zi


Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë i bëri thirrje Parlamentit të Kosovës që ta ratifikojë marrëveshjen për shënimin e kufirit me Malin e Zi.

Nëpërmjet një komunikate për opinion, ambasada amerikane shprehet e bindur se që pas shqyrtimit të konsiderueshëm nga ekspertët e qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, vija e shënimit të kufirit e caktuar me marrëveshje është e shënuar në mënyrë korrekte. “Ka ardhur koha t’iu jepen fund argumenteve dhe mospajtimeve që vetëm po e lëndojnë Kosovën, dëmtojnë besueshmërinë e Kosovës jashtë vendit dhe pengojnë mundësinë që qytetarët e Kosovës të udhëtojnë lirshëm”.

Në komunikatë thuhet se kjo marrëveshje paraqet shënim të mirë, të saktë dhe të drejtë të kufirit ndërmjet dy vendeve fqinje shumë miqësore. “E nxisim qeverinë që menjëherë ta dërgojë sërish instrumentin e ratifikimit në Parlamentin e Kosovës dhe deputetët ta ratifikojnë atë pa asnjë vonesë. Ka ardhur koha t’u jepet fund pengesave politike të Republikës së Kosovës ashtu që parlamenti dhe qeveria të fillojnë të shënojnë përparim në çështjet tjera jetike në të mirë të qytetarëve të Kosovës”, thuhet në komunikatën e ambasadës amerikane në Prishtinë.

Më herët gjatë ditës, qeveria e Kosovës vendosi që projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes për shënimin e kufirit me Malin e Zi ta shtyjë për ditën e mërkurë, në të njëjtën ditë kur pritet të mbahet edhe seanca për mocionin e mosbesimit të qeverisë.

Kjo shtyrje pasoi një takim ndërmjet kryetarit të parlamentit të Kosovës Kadri Veseli dhe kryeministrit Isa Mustafa me ambasadorin amerikan në Prishtinë, Greg Delawie, në të cilën sipas komunikatës së qeverisë janë pajtuar që projektligji për kufirin me Malin e Zi të shqyrtohet pas seancës ku do të shtrohet mocioni i mosbesimit.

Në kohën kur po pritej të mbahej mbledhja e qeverisë, forca të shumta të policisë kishin rrethuar objektet e institucioneve të vendit, pas paralajmërimeve se mund të mbahen edhe protesta nga partitë opozitare.

Kosova ka hyrë në një javë që po shihet si përcaktuese për të ardhmen e qeverisë së saj. Deri më tani, partnerët e koalicionit kanë dërguar sinjale të ndryshme. Derisa Lidhja Demokratike është duke kundërshtuar mundësinë që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme, partneri i saj qeverisës Partia Demokratike nuk ka kundërshtuar një mundësi të tillë dhe përfaqësues të saj kanë shtuar kritikat ndaj partnerit në koalicionin qeverisës.

Kjo e fundit ka kërkuar edhe garanci nga Lidhja Demokratike që të sigurojë të gjitha votat e deputetëve të saj, para se çështja e marrëveshjes për shënimit të kufirit me Malin e Zi të hidhet për votim në parlament.

Por, Lidhja Demokratike e Kosovës, pas mbledhjes së kryesisë së saj tha se beson që do t'i ketë votat e deputetëve të saj për të ratifikuar marrëveshjen.

Por, për këtë çështje nesër pritet që ambasadori amerikan në Prishtinë, Greg Delawie të takoj grupin parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, një takim që po shihet si përpjekje për t’i bindur ata deputetë që kundërshtojnë këtë marrëveshje.

Çështja e marrëveshjes për shënimin e kufirit me Malin e Zi ka nxitur mospajtime të thella në Kosovë që çuan në krizë politike. Debati për kufirin në Kosovë është përcjellë për një kohë të gjatë me skena të dhunshme në parlament e ndonjëherë edhe jashtë tij ndërsa opozita ka paralajmëruar se do të kundërshtojë me të gjithë mjetet ratifikimin e marrëveshjes.

Të premten, partitë opozitare dorëzuan një mocion mosbesimi ndaj qeverisë si rrugë për përshpejtimin e zgjedhjeve të përgjithshme. Mocioni është nënshkruar edhe nga disa deputetë të Partisë Demokratike në pushtet, të cilët kanë shprehur pakënaqësinë e tyre me punën e qeverisë.

Kryesia e Parlamentit të Kosovës caktoi për të mërkurën seancën e radhës kur do të votohet mocioni për mosbesim ndaj qeverisë.

Por, çështja e zgjedhjeve përveç konsensusit të brendshëm kërkon edhe bashkërendim me mekanizmat ndërkombëtarë në Kosovë, që të paktën deri tash nuk kanë dhënë asnjë shenjë se mund të mbështesin zgjedhjet e parakohshme.

Ende nuk është e qartë se si mund të rrjedhë e mërkura, por duket se qeveria do të përballet fillimisht më sprovën e mocionit të mosbesimit dhe nëse mbijeton, të vazhdojë me marrëveshjen për kufirin me Malin e Zi.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG