Lidhje

Kosovë, ushtarët u mësojnë fëmijëve softball


Tre ekipe të fëmijëve kanë udhëtuar në një autobus ushtarak në kampin amerikan Bondsteel, ku ata janë stërvitur nga ushtarët amerikanë

Për shumicën e fëmijëve të Kosovës, futbolli është sporti kryesore, por disa prej tyre kanë filluar merren me një sport të ri, softbollin, që më parë ishte sport i panjohur për ta. Ushtarët amerikanë të KFOR-it po u mësojnë fëmijëve të Kosovës këtë sport dhe kohët e fundit në bazën ushtarake Bondsteel ata kanë organizuar një kamp softbolli ku kanë marrë pjesë tre ekipe fëmijësh.

William Parks, një amerikan që bën punë vullnetare në Kosovë duke ndihmuar fëmijët, i ka kërkuar ushtarëve amerikanë që shërbejnë në Kosovë t’i mësojnë fëmijëve lojën e softbollit.

“Së pari asnjëri prej tyre nuk kishte luajtur softboll më parë kështu që ne i mësuam ata si të gjuanin dhe si të kapnin topin. Tani ata kapin topat në ajër edhe pse janë stërvitur një herë në javë për disa muaj. Mendoj se ata kanë bërë shumë përmirësime. Jam krenar për hapat që ata kanë bërë”, tha Lejtnant Paul Nadalaski, njëri nga trajnerët e fëmijëve.



Tre ekipe të fëmijëve kanë udhëtuar në një autobus ushtarak në kampin Bondsteel, ku ata janë stërvitur nga ushtarët amerikanë.

Softbolli është një sport i ngjashëm me bejsbollin. Në të dyja sportet përdoret një top i rrumbullakët, shkopi për goditjen e topit dhe dorashka. Dy sportet përfshijnë një lojtar i cili e hedh topin në drejtim të lojtarit me shkop me shpresën që ta nxjerrë kundërshtarin nga loja. Loja në dy sportet zhvillohet brenda një numri të caktuar raundesh dhe duhen tre gjuajtje nga të dyja ekipet për t’i dhënë fund një raundi.

Dallimet mes këtyre sporteve janë në madhësinë e topit, dorashkës, shkopit dhe në mënyrën e gjuajtjes së topit. Leutrim Saliu, një 13 vjeçar nga Prishtina, thotë se ai tashmë ka mësuar elmentet bazë të lojës.

“Softbolli luhet me nëntë lojtarë, njëri vendoset në bazën e parë, tjetri në të dytën, një tjetër lojtar vendoset në bazën e tretë, lojtari me shkop qëndron në pozitë për të goditur topin dhe kështu me radhë. Kur goditet topi lojtari duhet të vrapoj në drejtim të bazës së parë. Nëse topi del jashtë vijave kufizueze, gjuajtja e topit duhet të përsëritet”, thotë Saliu i cili preferon të luaj në bazën e parë.

“Turneu” i softbollit në kampin amerikan përfundoi me barazim por si fëmijët ashtu edhe trajnerët e tyre ishin të kënaqur me lojën.

“Unë jam shumë i kënaqur me lojën, ishte lojë e mirë, askush nuk u mund keq. Të gjithë duken të kënaqur dhe ata zhvilluan lojën në një fushë të mirë e jo mbi sipërfaqe të betonuar. Në fushat e betonit ata mund të lëndohen më lehtë, prandaj ne jemi të kënaqur që ata zhvilluan lojën këtu”, tha Rreshterja Karin Kasupski nga Vermonti.

Shqiptarët kanë një dashuri të veçantë për Amerikanët sepse ata i janë mirënjohës Shteteve të Bashkuar për udhëheqjen e fushatës së bombardimeve të NATO-s kundër ushtrisë serbe më 1999 që ndaloi spastrimin etnik të shqiptarëve të Kosovës. Ata gjithashtu vlerësojnë mbështetjen e amerikane për shtetësinë e Kosovës.

Kampi Bondsteel gjendet në rajonin lindor të Kosovës. Ai u themelua
në qershor të vitit 1999 dhe është baza kryesore e ushtrisë amerikane në Kosovë. Rreth 700 ushtarë amerikanë shërbejnë në bazën ushtarake më të madhe dhe më të kushtueshme të ndërtuar në Evropë nga Shtetete e Bashkuara, që nga Lufta e Vietnamit.
XS
SM
MD
LG