Lidhje

Del para gjyqit në SHBA shtetasi i Kosovës që bashkëpunonte me IS-in


Një shtetas i Kosovës është vënë para një gjykate federale amerikane nën akuzat për ndërhyrje të paligjshme në disa serverë dhe se i ka dhënë grupit Shteti Islamik informacione për mbi 1 mijë anëtarë të shërbimeve amerikane.

Ardit Ferizi mund të dënohet deri në 35 vjet heqje lirie nëse shpallet fajtor.

Policia në Malajzi arrestoi Ardit Ferizin në muajin tetor të vitit të kaluar në bazë të një urdhër arresti të lëshuar nga autoritetet amerikane.

Mediat në Kosovë thonë se i dyshuari është me prejardhje nga qyteti i Gjakovës, rreth 90 kilometra në jug perëndim të Prishtinës.

Prokurorët federal thanë se Ardit Ferizi ka përdorur emrin e koduar "Th3Dir3ctorY" dhe ka drejtuar një grup të hakerëve të njohur si “The Kosova Hacker's Security”.

Ata thanë se ai ka ndërhyrë në sistemin kompjuterik të një kompanie amerikane duke vjedhur informacionet personale të 1 mijë e 351 pjesëtarëve ushtrisë amerikane dhe punonjësve federal, duke ua kaluar informacionet terroristëve.

Në muajin gusht, një pjesëtar i Shtetit Islamik me emrin Junaid Hussain, postoi në rrjetin social twitter një mesazh që pëmbante në vete një lidhje me një dokument më të gjatë. Në dokument thuhet se “ne jemi në postat tuaja elektronike dhe sistemet kompjuterike, duke parë dhe duke regjistruar çdo lëvizje tuajën. I kemi emrat dhe adresat tuaja... Ne po nxjerrim të dhënat tuaja të besueshme dhe po ua japim informacionet ushtarëve të Kalifatit, të cilët së shpejti me lejen e Allahut do të godasin kokat tuaja në tokat tuaja”.

Në pjesën tjetër të dokumentit janë radhitur emrat, adresat e postës elektronike dhe numrat e telefonave të pjesëtarëve të personelit amerikan.

Nuk është e qartë nëse ndonjë amerikan është dëmtuar si pasojë e informacioneve të vjedhura.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG